Kremlini, entuziast për fitoren e Maduros në presidencialet e Venezuelës!

vovalbania July 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kremlini, entuziast për fitoren e Maduros në presidencialet e Venezuelës!

Presidenti rus, Vladimir Putin uroi Nicolas Maduron për një mandat të ri presidencial në Venezuelë, duke thënë se Moska gëzohet për partneritetin strategjik me këtë shtet në Amerikën Jugore dhe shtoi se “Maduro është gjithmonë i mirëpritur në Rusi”.

Maduro dhe rivali i tij opozitar, Edmundo Gonzalez, kanë shpallur fitore në zgjedhjet presidenciale në kohën kur Uashingtoni zyrtar e të tjera qeveri të huaja janë të shqetësuara dhe dyshojnë në të dhënat zyrtare që e kanë nxjerrë Maduron si fitues për një tjetër mandat presidencial.

Pas mesnate, autoriteti zgjedhor njoftoi se kreu i shtetit, Maduro fitoi mandatin e tretë, me 51% të votave, rezultat që mund ta zgjasë në çerek shekulli pushtetin e tij socialist.

Marrëdhëniet ruso-venezueliane kanë karakterin e partneritetit strategjik, siç vuri në dukje Putin, në një mesazh drejt Maduros. Jam i bindur që veprimet tuaja në krye të shtetit do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillim progresiv, në të gjitha drejtimet. Mos harroni, ju jeni gjithmonë i mirëseardhur në tokën ruse!

Por, ndryshe nga Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shqetësime serioze se rezultatet e publikuara prej Autoritetit Zgjedhor të Venezuelës, të cilat konfirmonin fitoren e Nicolas Maduros për një mandat të tretë presidencial, nuk reflektojnë votat e popullit. Qëndrimin e shprehu sot sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Vetëm pak minuta pasi autoriteti deklaroi se Maduro ka fituar zgjedhjet presidenciale, Blinken ndërpreu fjalimin në një takim të kombeve të Indo-Paqësorit, për të komentuar lidhur mbi këto zhvillime.

Ne e kemi parë njoftimin e Komisionit Zgjedhor të Venezuelës. Ne kemi shqetësime serioze që rezultatet nuk reflektojnë vullnetin e popullit të Venezuelës.

Më tej, Blinken vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar është duke i parë nga afër zhvillimet atje dhe shtoi se do të përgjigjet.

Eshtë shumë e rëndësishme që secila votë të numërohet saktë e në mënyrë transparente, që zyrtarët zgjedhorë të shpërndajnë menjëherë informacionin me vëzhguesit opozitarë e ata zgjedhorë, pa asnjë vonesë e që autoritetet përgjegjëse t’i publikojnë tabletat e detajuara të votave.

Një sondazh i Edison Research, institutit të njohur për sondazhet e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikonte se opozita do të fitonte 65% të votave, ndërsa Maduro 31%. Por, nuk rezultoi kështu.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65729 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE