GJKKO: “Arrest me burg” për Aurel Zarkën/KLP-ja e pezulloi si kryeprokuror të Vlorës!

vovalbania July 31, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
GJKKO: “Arrest me burg” për Aurel Zarkën/KLP-ja e pezulloi si kryeprokuror të Vlorës!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi pezullimin nga detyra të kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i arrestuar dy ditë më parë me kërkesë të SPAK-ut e të firmosur nga GJKKO-ja, pasi dyshohet se ndërhyri në dosjen e “Toyota Yaris”.

Transkriptet mbi njerëzit e drejtësisë janë sjellë përmes letërporosisë nga autoritetet belge, që kanë kërkuar identifikimin e personazheve të përfshirë për të mbyllur çështjen. Avokati Radovan Çela shfaqet duke komunikuar me të afërmit e kushërinjve Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milion eurove në një “Toyota” në Portin e Durrësit dhe përmend se si ishin kryer pagesa për të mbyllur dosjen.

Në këtë komunikim përmendet edhe kryeprokurori i Vlorës, për të cilin ka dyshime se kishte hyrë si garant për shkak të njohjes pranë grupit të hetimit të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

GJKKO-ja dha masën e sigurisë “Arrest me burg” për personin nën hetim Aurel Zarka.

Sot në GJKKO ku u mbajt seanca e marrjes në pyetje dhe verifikimi i kushteve e nevojave të sigurimit, për personin nën hetim Auren Zarka dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, si i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25, 319 dhe 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Në seancë ishin të pranishëm prokurori i SPAK-ut, Klodian Braho dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Zarka i mohoi akuzat ndërsa SPAK-u ka renditur çështjet ku ndërhyri:

1 -Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal;

2- Procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;

3- Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;

4- Procedimin pasuror nr.1, datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri;

5- Procedimi pasuror nr.24, datë 19.02.2020, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj;

6- Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xh. M., e akuzuar për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;

7- Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669, datë 26.03.2020, të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë;

8- Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE