Sulme izraelite në Siri, pranë kufirit me Libanin!

vovalbania August 03, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sulme izraelite në Siri, pranë kufirit me Libanin!

Ushtria izraelite goditi objektivat e milicisë së Hezbollahut, në rajonin kufitar midis Libanit dhe Sirisë, siç raportuan një vëzhgues i luftës dhe aktivistët. Shpërthime dhe shtëllunga tymi u panë nga fshati Al-Ma’ariya në atë Al-Qusayr, i cili gjithashtu kontrollohet nga lëvizja Hezbollah.

Kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman, tha për DPA-në se sulmet ajrore izraelite goditën një depo armësh dhe një seli të Hezbollahut në zonë. Aktivistët në anën libaneze të kufirit deklaruan se zhurmat e shpërthimeve ishin shumë të forta.

Abdel Rahman vuri në dukje se sulmet shkaktuan disa zjarre në zonë. Nuk pati asnjë koment nga Izraeli. Forca ajrore izraelite bombardon në mënyrë të përsëritur objektiva në Sirinë fqinje në një përpjekje për të parandaluar Iranin dhe milicitë aleate të tij që të zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak në vend. Ka pasur më shumë sulme që nga fillimi i luftës në Gaza, më 7 tetor 2023.

Më herët, ushtria izraelite, IDF deklaroi se vrau komandantin ushtarak të Hamasit në Tulkarem, në Bregun Perëndimor, sot në një sulm ajror, në një eleminim të synuar që goditi një automjet dhe vrau katër persona të tjerë.

Viktima kryesore u identifikua si Sheikh Haitham Balidi, komandant i Tulkaremit të Brigadave Izzadin al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, grupit radikal palestinez, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian.

Agjencia palestineze e lajmeve, Wafa raportoi për një automjet të goditur nga ajri në Tulkarem me pesë të vdekur, por pa zbuluar identitetin e tij. Sulmi u krye me një dron ushtarak izraelit, i cili goditi automjetin palestinez në rrugën midis Zeitas dhe Attilit, në verilindje të Tulkaremit.

Ushtria amerikane do të dislokojë avionë e anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme ndërsa Uashingtoni synon të forcojë masat mbrojtëse pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët, Hamas e Hezbollah. Shtetet e Bashkuara po përgatiten që Teherani të përmbushë zotimin për t’u hakmarrë. Pentagoni miratoi dërgimin e anijeve luftarake që mund të rrëzojnë raketa balistike me objektiva në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Presidenti Biden dhe sekretari i Mbrojtjes kanë shprehur përkushtimin për shtimin e forcave mbrojtëse në rajon. Mbetet e paqartë nëse përgatitjet amerikane janë aq intensive sa ishin përpara 13 prillit kur Irani ndërmori një sulm me dronë dhe raketa kundër territorit izraelit. Ushtria izraelite eliminoi me sukses pothuajse të gjitha raketat dhe dronët, rreth 300, me ndihmën e ushtrisë amerikane dhe aleatëve të tjerë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64075 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE