Zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë/ 33.49% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 17:00!
Deri në orën 17:00 në Himarë kanë votuar 33.49 %, 6565 nga 20.190 qytetarë në listën e QV të raportuara për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.
Për postin e kreut të bashkisë Himarë garojnë Vangjel Tavo, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria kandidat i opozitës.
Dy kandidatët votuan rreth orës 10:00. Ndërkohë më parë në KQZ është raportuar që votimi në dy QV në Kuç ka nisur me një orë vonesë në mëngjes.
6 mijë zgjedhës në Himarë nuk do mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit ka skaduar. Shifrën e konfirmoi edhe komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Megjithëse e njëjta problematikë është konstatuar edhe në zgjedhjet e shkuara, nuk është marrë asnjë masë.
Sipas sekretarit të KZAZ 88 në Himarë, deri tani janë 200 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave të ID të skaduara.