24 viktima në protestat pas presidencialeve në Venezuelë!

vovalbania August 07, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
24 viktima në protestat pas presidencialeve në Venezuelë!

Organizata për të drejtat e njeriut “Provea” raportoi se janë 24 persona që gjetën vdekjen në protestat pas zgjedhjeve presidenciale të datës 28 korrik në Venezuelë, të cilat u shoqëruan me akuza të rënda për mashtrim.

Rezultatet e autoriteteve zgjedhore konfirmuan fitoren e presidentit Maduro, por opozita që nuk kishte dyshime në humbjen e tij, reagoi duke kundërshtuar ashpër. Sondazhet që i paraprinë presidencialeve, nuk flisnin për fitore të Maduros, në pushtet prej 11 vitesh.

Në platformën e mediave sociale X, “Provea” shkroi se në të paktën nëntë nga vrasjet, grupet e armatosura civile pro qeveritare, të njohura si “Colectivos”, ishin identifikuar nga dëshmitarët okularë si autorë të mundshëm.

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” (HRW) foli gjithashtu për “raporte të besueshme të 24 vdekjeve” po në lidhje me protestat.

Shumë njerëz në Venezuelë kanë protestuar ditët e fundit kundër asaj që besojnë se janë zgjedhje të manipuluara. Autoritetet shtetërore kanë goditur e vijojnë të reagojnë me dorë të hekurt, me mbi 2 mijë vetë të arrestuar deri më tani, sipas deklaratave të qeverisë.

Pas zgjedhjeve të 28 korrikut, autoriteti elektoral i Venezuelës shpalli fitues presidentin autoritar Nicolas Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013. Por, zyrtarisht ende nuk janë publikuar rezultatet e detajuara të zonave individuale të votimit.

Opozita e Venezuelës akuzon qeverinë për mashtrim zgjedhor dhe po pretendon fitoren për kandidatin e saj, Edmundo González. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA-të dhe një sërë vendesh të Amerikës Latine e kanë njohur Gonzálezin si fitues.

E ndërsa Rusia mbështet vetëm Nicolas Maduron, Bashkimi Europian, BE tha se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë pa zbulimin e plotë të të dhënave zyrtare të votimit ndaj dhe Unioni po pret një tjetër njoftim që të vijë nga Venezuela e trazuar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64127 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE