Rusia në panik: Regjim sigurie në tre rajone kufitare, përdor raketa termobarike!!
Mes grumbullimit të forcave për t’iu kundërvënë sulmit më të madh ukrainas në territorin e saj që prej fillimit të luftës shkurtin e vitit 2022, Moska vendosi në tre rajone kufitare një regjim gjithëpërfshirës sigurie.
Forcat ukrainase mësynë përtej kufirit rus mëngjesin e së martës dhe u shtrinë në disa pjesë perëndimore të rajonit Kursk. Një ofensivë e befasishme kjo, që e zuri në befasi Vladimir Putinin e që mund të synojë krijimin e një përparësie në bisedimet e mundshme të armëpushimit, pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse Putini insiston se sulmi i trupave të Kievit është ndaluar, Rusia deri më tani ka dështuar të zmbrapsë forcat ukrainase përtej kufirit.”Armiku është frenuar, por kjo nuk do të thotë se gjithçka është e qetë.
“Atje po zhvillohen luftime serioze”, pohoi dhe Andrei Gurulyov, një gjeneral që shërbeu në forcat sovjetike dhe ruse dhe tani është ligjvënës i partisë në pushtet.
Moska vetë njoftoi se ka përdorur në kundërofensivën e saj një kokë raketore termobarike (armët e tmerrshme qe shkrijnë organet e njeriut), ndërsa paralajmëron se operacionet e Kievit në zonë kërcënojnë centralin bërthamor atje.
Sulmi ukrainas ka nxitur në Rusi pyetje se përse Ukraina arriti të depërtonte kaq lehtë në rajonin e Kurskut, pas më shumë se dy vitesh të konfliktit tokësor më intensiv në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Udhëheqësit ukrainas kanë heshtur për operacionin ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskyy tha më herët gjatë javës se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e agresionit në shkallë të plotë që ka zhvilluar kundër Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022.