Pas vrasjes së Egli Progës, Denis Meçe fjeti në makinë, ofroi 1 mln lekë për të shpëtuar nga burgu!

vovalbania August 15, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pas vrasjes së Egli Progës, Denis Meçe fjeti në makinë, ofroi 1 mln lekë për të shpëtuar nga burgu!

Denis Meçe, i arrestuar për vrasjen e Egli Progës më 10 gusht 2024 në Pogradec, është përballur me një seancë gjyqësore në Gjykatën e Korçës. Ngjarja tragjike ndodhi në afërsi të rreth-rrotullimit të njohur si “Axhensia”, në lagjen nr. 2 të Pogradecit. Fillimisht, Meçe ishte akuzuar për “vrasje me dashje”, por Prokuroria zbuti akuzën në “vrasje nga pakujdesia”, duke e mbështetur këtë vendim në materialet e siguruara nga policia.

Në vendimin e datës 13 gusht, gjyqtarja Luljeta Kole ka vendosur që Meçe të qëndrojë në arrest me burg. Avokati i tij, Eduart Muçi, kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit në “arrest shtëpie” me një garanci prej 1 milion lekësh.

“Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t’u larguar apo për t’iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi “arrestin në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose “Garancia pasurore” në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh.”

Sipas avokatit, Meçe nuk ka pasur qëllim të largohej nga drejtësia, ai kishte fjetur në automjet dhe më pas kishte telefonuar avokatin për t’u dorëzuar në komisariat.

Sipas Report TV në seancën gjyqësore, Denis Meçe ka kërkuar ndjesë për veprën e kryer, duke shprehur keqardhje të thellë për humbjen e jetës së Progës. Ai ka theksuar se nuk kishte pasur për qëllim të dëmtonte ose të vriste të ndjerin.

“Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin” shkruhet në vendim.

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për Meçen dhe “detyrim me paraqitje” për tre të arrestuarit e tjerë, të akuzuar për “moskallëzim krimi”. Procesi gjyqësor do të vazhdojë për të përcaktuar hapin e ardhshëm në këtë rast të ndërlikuar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63939 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE