Rihapet banka qendrore pas lirimit të drejtuesit të marrë peng nga militantët!
Banka qendrore e Libisë njoftoi sot se ka rinisur operacionet pas lirimit të drejtuesit të saj që ishte marrë peng nga shtëpia. Banka CBL konfirmoi lirimin e Musaab Muslamm, kreu i departamentit të teknologjisë së informacionit, i cili ishte marrë me forcë të dielën nga një “palë e paidentifikuar”.
Zyrtarët shtonin se:
Msallem ishte marrë nga kryeqyteti Tripoli, ndërsa ishin kërcënuar me pengmarrje edhe zyrtarë të tjerë të bankës.
Pas ngjarjes CBL kishte ndaluar punën, duke refuzuar hapjen deri në lirimin e zotit Msallem. Në një deklaratë të dhënë sot, banka tha se po vijonte normalisht punën pasi zoti Msallem ishte liruar dhe ishte në gjendje të mirë.
Banka qendrore e Libisë, e cila është e pavarur por ‘në pronësi’ të shtetit të Libisë, është menaxhuesja e vetme e të ardhurave të naftës së Libisë, që janë vitale në vendin e ndarë prej vitesh nga lufta e brendshme, me dy qeveri rivale të krijuara respektivisht në Tripoli e Benghazi, që prej përmbysjes së dhunshme të liderit Moamar Gadafi në revolucionet e rajonit në 2011.
Media të cituara nga rrjeti AFP, thonin se:
Pengmarrja kishte si objektiv detyrimin e dorëheqjes së guvernatorit të bankës Seddik al-Kabir.
Vendi mbetet i ndarë me luftë të brendshme për pushtet mes qeverisë së njohur nga OKB me bazë në Tripoli, dhe asaj në lindje të komanduar nga gjenerali militant Khalifa Haftar.