Pastrimi i territorit, kryeministri Rama: Himara, histori suksesi!
Në Forumin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese, kryeministri Edi Rama vlerësoi bashkëpunimin me njësitë vendore, për menaxhimin e mbetjeve. Po ashtu, bëri një bilanc duke theksuar se “ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës së pastërtisë në bashkitë e vendit”. Sipas tij, “në vitin 2013, 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve”, ndërsa “sot grumbullohen 91% e tyre në të gjithë territorin”. Pas kritikave në mbledhjet e mëparshme, veçoi Himarën, si bashki të kthyer në “shembull të punës”.
Dua të përmend Himarën si histori suksesi dhe nuk do çuditesha fare nëse kryetari i bashkisë nuk do të ishte këtu, sepse ka qenë gjithmonë prezent kur ka ‘ngrënë dru’ publikisht. Himara është një shembull i jashtëzakonshëm i zgjimit të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që duhet marrë shembull. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që secili të bëjë punën e vet dhe të ndërtohet një raport pozitiv me të gjithë komponentët në territor.
Këtë e ka bërë e para Bashkia e Lezhës, për të vijuar me Pogradecin që ka qenë një zonë për të ardhur keq në aspektin e konfliktit vizual mes mrekullisë së natyrës dhe plehrave të mbetura rrugëve.
Sot Pogradeci është pasqyrë e pastërtisë. Kamza po ashtu nga shëmbëlltyra më dramatike e pisllëkut. Po ashtu, Gjirokastra dhe Elbasani. Në Elbasan jo thjesht falë impiantit të ndërtuar atje, u hoq gjithë fusha e plehrave nga qyteti dhe iku dhe reja e zezë e tymit të djegies së tyre të përditshme, por edhe falë organizimit dhe shtrirjes së pastrimit në gjithë territorin e bashkisë.
Kryeministri falënderoi gjithë kryetarët e bashkisë që sipas tij, “dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për suksesin e këtij sezoni në aspektin e pastërtisë”, ndërsa shprehu bindjen se kjo do të shërbejë si inkurajim për më tej.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës nuk është këtu, por shohim se ka një përpjekje dhe ndryshim në qasje edhe pse situata e pastërtisë është ku thërret qameti, por përtej çdo gjëje tjetër, e vërteta është e vërtetë dhe duhet thënë.