Fjalimi në Kuvendin Kombëtar Demokrat, Kamala Harris: “Do të jem presidente për të gjithë amerikanët…”

vovalbania August 23, 2024 0 koment 7 Mund të lexoni në minuta.
Fjalimi në Kuvendin Kombëtar Demokrat, Kamala Harris: “Do të jem presidente për të gjithë amerikanët…”

Përpara një turme entuziaste Nënpresidentja Kamala Harris u tha amerikanëve se në nëntor kanë një shans për një “rrugë të re përpara”. Në ditën e katërt dhe të fundit të Kuvendit Kombëtar Demokrat zonja Harris pranoi zyrtarisht emërimin e partisë si kandidate për presidente.

“Në këto zgjedhje, kombi ynë ka një mundësi të çmuar, për të tejkaluar hidhërimin, cinizmin dhe betejat përçarëse të së kaluarës. Një shans për të përcaktuar një rrugë të re përpara, jo si anëtarë të një partie apo fraksioni, por si amerikanë”, tha zonja Harris gjatë fjalimit të saj.

Të enjten zonja Harris u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që pranoi emërimin për presidente, nga një parti e madhe dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë fjalimit të saj zonja Harris premtoi të jetë një kandidate për të gjithë amerikanët pa dallim.

“Do të jem një presidente që na bashkon të gjithëve rreth aspiratave tona më të mëdha. Një presidente që udhëheq e dëgjon, që është realiste, praktike. Që vepron në mënyrë të arsyeshme dhe gjithmonë lufton për popullin amerikan. Nga gjykata në Shtëpinë e Bardhë, kjo ka qenë puna e jetës sime”, tha ajo.

Një pjesë të mirë të fjalimit të saj zonja Harris ia kushtoi prejardhjes dhe familjes së saj, me një nënë që bëri shumë për të rritur, atë dhe motrën e saj.

“Nëna ime ishte 19 vjeçe kur përshkoi botën e vetme, duke udhëtuar nga India në Kaliforni me një ëndërr të palëkundur, për të qenë shkencëtarja që do të kuronte kancerin e gjirit”, tha zonja Harris.

“Ne e dimë se një klasë e mesme e fortë ka qenë gjithmonë jetike për suksesin e Amerikës. Dhe ndërtimi i kësaj klase të mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime. Kjo është diçka personale për mua, pasi unë vij nga klasa e mesme”, tha ajo.

Po kështu zonja Harris solli në vëmendje të publikut dhe një nga arsyet se pse vendosi të bëhej prokurore, duke kujtuar historinë e trishtë të shoqes së saj në shkollën e mesme Wanda, e cila i kishte rrëfyer se abuzohej seksualisht nga njerku i saj. Zonja Harris tha se pasi mësoi rreth këtij fakti, e kishte ftuar atë të vinte në shtëpinë e saj.

“Kjo është një nga arsyet pse u bëra prokurore, për të mbrojtur njerëz si Wanda”, tha zonja Harris.

Gjatë fjalimit të saj zonja Harris kritikoi ish-Presidentit Trump duke shtuar se të gjithë amerikanët e dinë rrezikun që paraqet ardhja e tij në pushtet për herë të dytë.

“Në shumë mënyra Donald Trump është një njeri joserioz, por pasojat e rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë janë jashtëzakonisht serioze. Kini parasysh pushtetin që ai do të ketë – veçanërisht pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që ai të gëzojë imunitet nga ndjekja penale”, tha ajo.

Gjatë fjalimit të saj zonja Harris tha se në krye të Shtëpisë së Bardhë do të kujdeset që ushtria amerikane të ketë forcën luftarake më të fuqishme e më vdekjeprurëse në botë. Ajo shtoi se do të përmbushë atë çka e konsideroi si detyrim të shenjtë, kujdesin për trupat amerikane dhe familjet e tyre, duke u siguruar që t’i nderojë, e kurrë të mos e përçmojë sakrificën e tyre.

“Ne do të drejtojmë botën drejt së ardhmes, në hapësirë dhe inteligjencën artificiale. Amerika dhe jo Kina, do të fitojë garën në shekullin e 21-të dhe ne do ta forcojmë dhe nuk do të heqim dorë nga roli udhëheqës në arenën globale”, tha ajo.

Nënpresidentja Kamala Harris tha në fjalimin e saj në Konventën Kombëtare se nëse bëhet presidente do të qëndrojë krah aleatëve të NATO-s dhe me Ukrainën.

“Trumpi, nga ana tjetër, kërcënoi se do ta braktisë NATO-n. Ai inkurajoi Putinin të sulmonte aleatët tanë. Tha se Rusia, dhe po e citoj: mund të bëjë çfarë të dojë. Pesë ditë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën, unë u takova me Presidentin Zelensky për ta paralajmëruar për planin rus për të sulmuar. Ndihmova në mobilizimin e një reagimi global të mbi 50 vende për t’u mbrojtur kundër agresionit të Putinit. Dhe si presidente, do të qëndroj e fortë me Ukrainën dhe aleatët tanë të NATO-s”, tha kandidatja demokrate për presidente.

Lidhur me luftën në Gazë, zonja Harris tha se ajo dhe Presidenti Biden po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për pengjet dhe armëpushim në këtë rajon, gjë për të cilën siç shtoi ajo, koha është tani.

“Më lejoni të jem e qartë, unë gjithmonë do të mbroj të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Do të sigurohem gjithmonë që Izraeli të ketë aftësinë për të mbrojtur veten, sepse populli i Izraelit nuk duhet të përballet më kurrë me tmerrin që një organizatë terroriste e quajtur Hamas shkaktoi më 7 tetor, përfshirë dhunën seksuale të papërshkrueshme dhe masakrimin e të rinjve në një festival muzikor”.

Ndërkaq zonja Harris e cilësoi atë që ka ndodhur në Gazë që prej fillimit të luftës, shkatërruese e të dhimbshme, për shkak të humbjes së shumë jetëve të pafajshme, ndërsa rajoni ndodhet në dëshpërim e vuatje.

“Presidenti Biden dhe unë po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të sigurojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, tha ajo.

Zonja Harris shtoi se ajo asnjëherë nuk do të hezitojë të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm për të mbrojtur trupat dhe interesat amerikane kundër terroristëve të mbështetur nga Irani, duke theksuar atë që e sheh si një kontrast të fortë mes saj dhe zotit Trump.

“Unë nuk do të miqësohem me tiranët dhe diktatorët si Kim Jong Un-i që po bëjnë tifozllik për Trumpin, që të fitojë. Ata e dinë që ai është i lehtë për t’u manipuluar me lajka dhe favore. Ata e dinë se Trumpi nuk do t’i mbajë përgjegjës autokratët, sepse ai dëshiron të jetë vetë një autokrat”.

Shumë prej delegateve gra dhe mbështetëseve të kësaj force politike që merrnin pjesë në Kuvend, ishin veshur me të bardha – ngjyra që simbolizon të drejtën e votës së grave – një lëvizje që kulmoi me sigurimin e së drejtës për të votuar nga gratë amerikane, në vitin 1920.

Përpara fjalimit të zonjës Harris kuvendi u përfshi nga një atmosferë festive mbushur me fjalime në mbështetje të saj. Në skenë u ngjitën edhe dy nga mbesat e vogla të nënpresidentes, të cilat u sollën aty nga aktorja Kerry Washington, për t’i kujtuar të pranishmëve në Kuvend, por dhe audiencës se si shqiptohet saktë emri i zonjës Harris.Megjithë rolin e saj si nënpresidente, zonja Harris ka kaluar katër vjet nën hijen e Presidentit Biden, duke i lënë një pjesë të amerikanë të paqartë mbi historinë e saj personale dhe vizionin e saj politik për vendin.

Nga ana tjetër republikanët e kanë akuzuar zonjën Harris si “komuniste” dhe “liberale të rrezikshme”. Ekipi i zonjën Harris ka vënë theksin tek e shkuara e saj në strukturat e zbatimit të ligjit, përfshirë periudhën kur ajo shërbente si prokurore e qarkut të San Franciskos dhe prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Zonja Harris u zgjodh më vonë anëtare e Senatin ndërsa në 2020 kandidoi, por pa sukses, për të marrë emërimin e demokratëve për garën presidenciale.

Ishte zoti Biden ai që e zgjodhi atë si kandidate për nënpresidente, duke e katapultuar zonjën Harris në skenën kombëtare.

Edhe pse fillimisht zonja Harris ndeshi në vështirësi në rolin e saj si nënpresidente, reputacioni i saj u rrit kur ajo mori rolin e avokates kryesore të administratës Biden mbi të drejtën për abort, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për t’i hequr mbrotjen kushtetuese që gëzonte kjo e drejtë.Demokratët shfrytëzuan zemërimin publik rreth këtij vendimi për të frenuar humbjet e tyre në zgjedhjet e fundit për Kongresin, që përkonin me mesin e mandatit të presidentit.

Pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin e parë presidencial përballë zotit Trump në qershor, zonja Harris e mbrojti atë, derisa ai vendosi të largohej nga gara rreth një muaj më parë. Me ndihmën dhe mbështetjen e Joe Bidenit, zonja Harris unifikoi Partinë Demokrate që e mbështeti me shpejtësi kandidaturën e saj për presidente.

“Miqtë e mi amerikanë, unë e dua vendin tonë me gjithë zemër. Kudo që shkoj – tek të gjithë ata që takoj – shoh një komb të gatshëm për të ecur përpara. Gati për hapin tjetër, në udhëtimin e jashtëzakonshëm që është Amerika. Unë shoh një Amerikë ku ne mbajmë fort besimin e patrembur që ndërtoi kombin tonë. Kjo gjë frymëzoi botën duke treguar se këtu, në këtë vend, gjithçka është e mundur dhe se asgjë nuk është e paarritshme”, tha në fjalimin e saj në ditën e fundit të Kuvendit zonja Harris.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE