Sulmi me thikë në Gjermani, mbetën të vdekur 3 persona/ Zyrtari gjerman: “Akt i mundshëm terrorizmi…”

vovalbania August 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi me thikë në Gjermani, mbetën të vdekur 3 persona/ Zyrtari gjerman: “Akt i mundshëm terrorizmi…”

Një sulm me thikë gjatë të cilit një burrë i vrau tre njerëz dhe i plagosi tetë të tjerë në një festival në perëndim të Gjermanisë, ishte një “akt i mundshëm terrorizmi”, tha një zyrtar gjerman të shtunën. Policia gjermane tha se është duke e vazhduar kërkimin për dorasin.

Më herët, policia e arrestoi një 15-vjeçar, për të cilin tha se po e heton nëse ka lidhje të mundshme me dorasin e arratisur. Markus Caspers, prokuror nga zyra e prokurorisë publike në Dyseldorf, tha të shtunën pasdite në një konferencë se “terrorizmi” nuk mund të përjashtohet nga ky rast, sepse nuk ka motive të tjera dhe sepse viktimat nuk kanë lidhje mes vete.

Të shtunën në mëngjes, policia gjermane e nisi një operacion të gjerë kërkimi në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Solingen, për ta kapur dorasin e sulmit të së premtes mbrëma. Forca të mëdha policore, përfshirë njësi speciale, janë mbledhur përreth qendrës së qytetit Solingen.

“Edhe viktimat, edhe dëshmitarët janë duke u marrë në pyetje”, tha policia.

Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kërkoi kapjen dhe ndëshkimin e dorasit.

“Dorasi duhet të kaptet shpejt dhe të ndëshkohet në maksimum në përputhje me ligjin”, shkroi Scholz në rrjetin social X.

Policia tha se i dyshuari është në arrati dhe se autoritetet e sigurisë dinë shumë pak informata për të. Sipas policisë, sulmi u krye nga një sulmues i vetëm. “Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën. Solingeni i ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf.

“Ne jemi thellësisht të tronditur nga sulmi brutal në festivalin e qytetit në Solingen”, tha ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Nancy Faeser, në një komunikatë të shtunën.

“Autoritetet tona të sigurisë janë duke bërë gjithçka për ta kapur dorasin”, shtoi ajo.

Gjermania është e shqetësuar nga një rritje e sulmeve të dhunshme me thikë në vend dhe Faeser së fundmi propozoi ashpërsimin e ligjeve për armët. Ajo propozoi që të lejohet bartja në publik e thikave me teh deri në 6 centimetra të gjatë, në vend të thikave me teh 12 centimetra të gjatë që lejohet momentalisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE