Debati për amnistinë fiskale, kritika të ndërkombëtarëve për nismën e qeverisë
Te mërkurën në mëngjes, kryeministri i vendit ishte i vendosur të ecte para në idenë e tij të debatueshme për një amnisti të plotë fiskale. Një projekt që parashikon që çdo individ, i cili kualifikohet, pas një procesi të ngjashëm me vetting-un, të mund të fusë në bankë deri në 2 milion euro kesh.
“Amnistia fiskale do të bëhet, e kam thënë dhe e përsëris. Pse do të bëhet? Sepse amnistia fiskale e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Unë këtu jam i zgjedhur nga shqiptarët, nuk përfaqësoj ndonjë shtet tjetër dhe as nuk jam këtu si shprehje e vullnetit të ndonjë populli tjetër, që të jemi shumë të qartë”, tha Rama.
Një ditë me pas, kryeministri mungoi në takimin me ambasadorët e huaj, takim gjatë të cilit Taulant Balla dhe ministrja e Financave, tentuan të zbusnin skepticizmin e lartë të ndërkombëtarëve ndaj kësaj nisme.
Në takim mungoi dhe ambasadorja amerikane, por të enjten në mbrëmje Yuri Kim ishte e qartë se ku qëndron Uashingtoni përballë nismës së qeverisë shqiptare për amnistinë.
“Nëse do të shkonit në atë drejtim, do të vinit në rrezik anëtarësimin e Shqipërisë dhe kandidimin për të qenë anëtare e BE-së. Dhe ky është një vend që do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga të qenurit pjesë e BE-së. Por duhet të bëhet edhe një vend që do të japë shumë dhe do të kontribuojë në begatinë dhe sigurinë e Bashkimit European. Nuk mund të jetë vetëm merr, merr, merr”, tha Kim.
“Mendoj se Shqipëria ka një reputacion të keq. E kemi diskutuar këtë në publik, privatisht, është përfshirë në raportet tona, nuk ka asnjë surprizë kur vjen puna tek mendimi i Shteteve të Bashkuara mbi këto çështje”.
Argumentet e kryeministrit se amnisti të ngjashme ka patur edhe në vende të tjera si Italia, nuk po e mundësojnë bekimin e ndërkombëtarëve. Tashmë kur BE dhe SHBA po flasin publikisht kundër kësaj amnistie fiskale, për momentin askush nuk mund ta parashikojë nëse këmbënguljes të kryeministrit do t’i vijë fundi. Ose nëse nisma e tij do të korrigjohet, që të arrije të marrë OK e partnerëve.
“Nuk e kam parë versionin e fundit të amnistisë fiskale por le ta shohim”, u shpreh Kim.