Sot luhet ndeshja Ukrainë-Shqipëri, Silvinjo na zbulon më shumë detaje dhe cilët do të jenë në fushë!
Sot (e shtunë), kombëtarja e Shqipërisë do të luajë një ndeshje të rëndësishme ndaj Ukrainës në kuadër të edicionit 2024/25 të Ligës së Kombeve. Ky takim, pjesë e Grupit 1 të Ligës B, do të zhvillohet në stadiumin “epet ARENA” në Pragë të Çekisë.
Pas paraqitjeve në grupet e Euro 2024 që u mbajt në Gjermani këtë verë, kuqezinjtë rikthehen në fushë me synimin për të nisur edicionin e ri të Ligës së Kombeve sa më pozitivisht.
Në konferencën për shtyp, trajneri Silvinjo la të kuptohej se disa lojtarë të rëndësishëm nga Euro 2024 mund të mos jenë titullarë në këtë ndeshje. Megjithatë, pritet që Nedim Bajrami të startojë në krahun e majtë, duke pasur përpara Rei Manajn dhe Jasir Asanin në sulm. Në mesfushë, Qazim Laçi, Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani do të formojnë një bosht të fortë dhe fizik, për të sfiduar ukrainasit.
Sa i përket mbrojtjes, për shkak të mungesës së Ajetit dhe Gjimshitit, Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli janë të pritur të nisin nga minuta e parë. Mario Mitaj do të jetë në krahun e majtë, ndërsa në të djathtë, trajneri ka testuar Elseid Hysajn, megjithëse mungesa e tij në konferencën për shtyp ka ngritur disa dyshime. Ndërkohë, portën do ta ruajë sërish Tomas Strakosha.
Alternativat për këtë ndeshje përfshijnë Mihaj, Bajrami, Hadroj, Abrashi, Berisha, Uzuni, Hoxha, Zeka, Spahiu dhe Seferi. Kombëtarja e Shqipërisë është e gatshme për këtë sfidë dhe shpreson të fillojë me një rezultat të favorshëm në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.