Sulm në një zonë humanitare në Gaza, 40 persona të vrarë, mbi 60 të plagosur!
Të paktën 40 persona janë vrarë në Gazën jugore dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në një zonë të caktuar humanitare, ka thënë autoriteti i Mbrojtjes Civile i drejtuar nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha se avioni i saj sulmoi një qendër operacionale në Khan Younis që i përkiste luftëtarëve të Hamasit dhe se kishte marrë masa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve.
Në sulm, ushtria izraelite pretendon se ka goditur “terroristët e Hamasit” dhe se “mbron civilët”, ndërsa burime mjekësore dhe media palestineze flasin për një masakër ndaj kampit me civilë e të pafajshëm.
Banorët vendas thanë se tre sulme kishin në shënjestër vendet që strehonin njerëz të zhvendosur në zonën humanitare të al-Mawasi, në perëndim të qytetit të Khan Younis, duke shkaktuar kratere të thella shtatë metra.
“Dyzet njerëz u vranë dhe më shumë se 60 u plagosën, ndërsa shumë janë ende nën rrënoja”, tha drejtori i operacioneve të autoritetit të Mbrojtjes Civile të Hamasit për BBC.
Dëshmitarët okularë i thanë BBC-së se shpërthime të mëdha tronditën zonën e al-Mawasi pak pas mesnate dhe flakët mund të shiheshin që ngriheshin në qiell.
Ushtria izraelite pretendon në një deklaratë se:
“Një qendër komanduese e Hamasit u godit në sulmin ajror ndaj Khan Younis”. Mesazhi i IDF-së specifikon se “terroristët e rëndësishëm të Hamasit që vepronin brenda qendrës komanduese u goditën dhe se para sulmit, u miratuan masa të shumta për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve”.