Merret peng 25-vjeçari kuksian, bandat kërkojnë 24 mijë euro për lirimin e tij

vovalbania September 11, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Merret peng 25-vjeçari kuksian, bandat kërkojnë 24 mijë euro për lirimin e tij

Dy të rinj janë arrestuar në Kukës pasi kanë ndihmuar një 25-vjeçar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin për të shkuar në Francë e pastaj në Angli.

Por planet nuk kanë shkuar mirë pasi 25-vjeçari ka mbërritur në Francë dhe tani po mbahet peng nga shtetas që transportojnë emigrantë në mënyrë ilegale dhe kërkojnë 24 000 paund për ta liruar.

Vëllai i 25-vjeçarit pasi ka mësuar për fatin e vëllait, ka bërë denoncim në polici. Kjo e fundit ka arrestuar shtetasit Shpresim Hasanaj, 26 vjeç dhe Astrit Elezi, 31 vjeç dhe po bashkëpunon me Interpol Lionin për të identifikuar pengmarrësit e 25-vjeçarit dhe lidhjen që ata mund të kenë me dy kuksianët e arrestuar.

Njoftimi i policisë:

I dhanë ndihmë një 25-vjeçari, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Kukësi në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe, vihen në pranga 2 shtetas. 25-vjeçari mbahet peng në Francë, nga disa shtetas nga Vendet e Treta, të cilët kërkojnë një shumë parash për ta liruar. Policia e Shtetit, nëpërmjet Interpol Tiranës, po bashkëpunon ngushtësisht me Interpol Lionin, në Francë, me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve që mbajnë peng 25-vjeçarin.

Shërbimet e DVP Kukës, në drejtimin e Prokurorisë, nisur nga kallëzimi i bërë nga një shtetas, se vëllai i tij, shtetasi., është marrë peng në Francë, nga shtetas që transportojnë emigrantë në mënyrë ilegale, dhe se ata kanë kërkuar 24 000 paund për ta liruar, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar për dokumentimin e këtij rasti.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Garanti”, u bë ndalimi i shtetasve: 26 vjeç, banues në fshatin Muholaj dhe 31 vjeç, banues në Kukës, për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar shtetasin 25 vjeç, banues në Kukës, për të kaluar në mënyrën të paligjshme kufirin nga Kukësi në Belgjikë dhe më pas në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe.

Në bashkëpunim me Interpolin dhe oficerin e kontaktit në Francë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë ngushtësisht me Policinë franceze dhe me Interpol Lionin, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të dokumentuar nëse 2 shtetasit e arrestuar në Kukës, që ndihmuan shtetasin për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Shqipëria në Francë, kanë bashkëpunuar apo jo me shtetasit që kanë marrë peng 25-vjeçarin, në Francë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64092 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE