PD-ja organizon homazhe në nderim të Azem Hajdarit/Noka: Azemi hyri në histori!

vovalbania September 12, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
PD-ja organizon homazhe në nderim të Azem Hajdarit/Noka: Azemi hyri në histori!

Drejtues të Partisë Demokratike e deputetë zhvilluan homazhe në përkujtim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, i vrarë 26 vjet më parë në Tiranë pranë selisë së dikurshme të PD-së. Në një prononcim për mediat, sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka tha se “Azem Hajdari hyri në histori me trimërinë, me guximin dhe kurajën që tregoi për t’u përballur me diktaturën”.

Azem Hajdari me studentët u përballën dhe sfiduan regjimin me gjakatar që ka pasur Shqipëria. Ata dhanë një mesazh se vetëm guximi, përballja dhe kurajoja është rruga e duhur kur ke përballë një regjim, një regjim që kundërshtarëve iu tundte prangat ose plumbin. Mesazhi i Azem Hajdarit sot është më adekuat se kurrë. Regjimi do kurajo, regjimi do përballje, regjimi do t’i qëndrosh, regjimi do që të luftosh ta rrëzosh.

I pyetur mbi lëvizjen për qeverinë teknike, Noka tha se lëvizja fillon aty ku janë njerëzit:

Ne jemi duke lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Nuk është çështje datash. Revolta popullore po zien, ne do të duhet që ne t’i prijmë asaj. Ka vetëm një rrugë që e kemi deklaruar, qeveria teknike për të shkuar vendi në zgjedhje të lira dhe demokratike. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që në vitin 2025 të mos ketë votë të lira. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që edhe të jenë vend anëtar i NATO-s, edhe vota të kontrollohet nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës.

Më herët, kryetari demokrat, Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani, reagoi me një mesazh për Azem Hajdarin. Ndër të tjera, shkroi:

Të dashur miq, sot demokratet dhe demokratët dhe mbarë shqiptarët përulen me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar të lirisë së tyre, Azem Hajdari, të ekzekutuar më 12 shtator të vitit 1998 para selisë së Partisë Demokratike nga terroristë me uniformë të qeverisë së Partisë Socialiste. Ky atentat terrorist shtetëror ndaj Azem Hajdarit, vrasja e shekullit për Kombin Shqiptar, ishte një hakmarrje e verbër primitive e partisë së krimit ndaj kryetrimit, që në krye të lëvizjes studentore bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ndaj prijësit të Revolucionit Demokratik të Studentëve të Dhjetorit ‘90, themeluesit të pluralizmit politik në Shqipëri, në vendin e diktaturës staliniste më jetëgjatë në Europë.

Azem, ti je gjallë!

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65158 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE