Përmbytje masive në Çeki dhe Poloni, mijëra familje pa energji elektrike!
Në Çeki dhe Poloni ka përmbytje masive, të shkaktuara nga reshje të dendura shiu të rëna gjatë natës. Që nga dita e djeshme, raportohet se forcat e emergjencës në të dy vendet ishin përgatitur për t’u përballur me pasojat e një moti të ashpër. Reshjet intensive në rajonin e lumenjve Elba e Vltava në Çeki shkaktuan rritjen e nivelit të ujit.
Autoritetet kanë lëshuar nivelin e tretë të alarmit për përmbytjet për rreth 20 lumenj e përrenj. Më shumë se 60 mijë familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive të forta, njoftoi agjencia çeke e lajmeve CTK. Zona e Mikulovices, pranë kufirit polak, u përmbyt në mëngjes herët.
Në qytetin jugor të Ceske Budejovices, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse e Vltava që nga mbrëmja e djeshme. Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltavës ishin të plota, me barriera penguese që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit.
Trafiku i transportit është pezulluar. Nivelet e ujit në lumenjtë në Çeki pritet të rriten më tej gjatë fundjavës sipas meteorologëve.
Përtej kufirit, në Poloninë jugperëndimore, lumi Biala Glucholaska doli nga shtrati në rajonin Opole.
Nga ana tjetër, rreth 400 banorë të fshatit Glucholazy, afër Mikulovices në Çeki u desh të evakuoheshin. Ministri i Brendshëm, Tomasz Simoniak vizitoi vendin e ngjarjes.
Rreth 100 zjarrfikës dhe 60 policë janë vendosur atje.
Disa nga banorët e fshatit Morow gjithashtu u desh të evakuoheshin sepse lumi Mora doli nga shtrati po ashtu. Njësia zjarrfikëse iu përgjigj 400 thirrjeve për ndihmë në rajon. Instituti Meteorologjik i Polonisë pret që shirat të vazhdojnë.
Moti i keq ka goditur rëndë edhe Rumaninë duke shkaktuar pesë viktima. Më shumë se 100 të tjerë janë evakuuar, pasi pjesa lindore e këtij vendi u godit nga vërshime masive mbrëmjen e djeshme.
Qarqet Galati dhe Vaslui janë goditur më rëndë nga përmbytjet teksa njerëzit hipën në çatitë e shtëpive të tyre, duke pritur ekipet e shpëtimit që t’i evakuonin.
Shumë rrugë janë bllokuar në këto dy qarqe, ku niveli i ujit në disa vende ka arritur deri në 3 metra për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Nëntëmbëdhjetë fshatra në tetë qarqe janë prekur nga vërshimet sipas autoriteteve rumune.
Reshjet e shiut pritet që të godasin shumicën e rajonit në ditët në vijim. Autoritetet janë vënë në gatishmëri në Republikën Çeke, Poloni, Sllovaki, Hungari, në jug të Gjermanisë e në disa pjesë të Austrisë.