Përmbytje masive nga shirat, rriten evakuimet në Europën Qendrore!
Një digë në Poloninë Jugperëndimore shpërtheu dje në mbrëmje vonë, pas reshjeve të dendura, ndërsa ekipet e emergjencës në Poloni, Çeki dhe pjesë të Austrisë vazhdojnë të përballen me përmbytje të mëdha, të konsideruara historike. Kjo për shkak të reshjeve të shiut që nuk kanë të pushuar në të gjitha vendet e Europës Qendrore.
Komuna e Silezisë së Poshtme, Bystrzyca Klodzka, në Poloni tha se diga në Miedzygorze ishte tejmbushur, pavarësisht përpjekjeve për të larguar ujin e për të parandaluar përmbytjen. Autoriteti Rajonal i Menaxhimit të Ujit në Wrocław e quajti situatën ”kritike” duke nxitur evakuime nga fshatrat. E ndërtuar në fillim të shekullit XX në luginën Klodzko, në kufirin e Polonisë me Çekinë, diga është 29 metra e lartë.
Rezervuari i saj i kontrollit të përmbytjeve mund të mbajë pothuajse një milion metra kub ujë. Që nga mëngjesi i së premtes, pra i dy ditëve më parë, më shumë shi ka rënë në Poloninë Jugperëndimore se gjatë të ashtuquajturës përmbytje të mijëvjeçarit, të vitit 1997 dhe niveli i alarmit është tejkaluar në 47 stacione matëse në të gjithë vendin.
Reshjet e dendura në rajonin e lumenjve Elba e Vltava në Çeki shkaktuan rritjen e nivelit të ujit të Elbës.
Autoritetet kanë lëshuar nivelin e tretë të alarmit për përmbytjet për rreth 20 lumenj e përrenj. Më shumë se 60 mijë familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive të forta, siç njoftoi agjencia çeke e lajmeve CTK.
Zona e Mikulovices, pranë kufirit polak, u përmbyt dje në mëngjes herët, siç u raportua nga televizioni çek në platformën e mediave sociale X.
Në qytetin jugor të Ceske Budejovice, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse dhe Vltava që nga mbrëmja e së premtes. Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltavas ishin të plota, me barriera penguese që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit.
Trafiku i transportit është pezulluar. Nivelet e ujit në lumenjtë në Çeki pritet të rriten më tej gjatë ditës së sotme sipas meteorologëve.
Ndërkohë, në Austri, 42 komuna janë shpallur zona katastrofash pasi nivelet e përmbytjeve në vend vazhduan të rriteshin. Situata është veçanërisht e tensionuar përgjatë lumenjve Kamp dhe Kremps, të cilët derdhen në Danub.
Stephan Pernkopf, zv.guvernator i Austrisë së Poshtme, tha se mbrojtja e rajonit nga përmbytjet, e forcuar pas përmbytjeve të rënda në vitin 2002 ishte krijuar për t’i bërë ballë përmbytjeve që ndodhin statistikisht një herë në 100 vjet.
Megjithatë, me reshjet e dendura të shiut që pritet të vazhdojnë, meteorologët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet. Ata thonë se Danubi mund të arrijë nivelet që shihen një herë në 30 vjet në rajonet Weinviertel dhe Mostviertel të Austrisë.
Të paktën pesë persona gjetën vdekjen në Rumaninë Lindore pasi vendi u godit nga shirat e dendur dhe përmbytjet.