Rrëfehet Albano Bogdo, zbulon arsyen pse “Portokalli” e refuzoi katër herë
Aktori i njohur Albano Bogdo, i ftuar pasditen e djeshme në emisionin “S’e luan Topi”, ka ndarë detaje nga rrugëtimi i tij në botën e aktrimit dhe vështirësitë që ka hasur në fillimet e karrierës.
Gjatë intervistës, ai foli me emocion për sakrificat që e ëma e tij bëri, duke punuar në tre vende të ndryshme, për t’i mundësuar studimet në Akademinë e Arteve.
Albano zbuloi gjithashtu se, përpara se të arrinte suksesin e tij në televizion, kishte bërë katër audicione për spektaklin e humorit “Portokalli”, por ishte refuzuar çdo herë.
“Më thanë ‘Ti nuk di të bësh humor’,”- kujtoi ai, duke shtuar se nuk ishte çështje e mungesës së talentit të tij, por sipas tij, faji ishte i regjisorit të asaj kohe, i cili nuk kishte ditur të dallonte potencialin e tij.
Megjithatë, pavarësisht refuzimeve, Albano Bogdo nuk u dorëzua dhe vazhdoi të ndjekë pasionin e tij për humorin, duke arritur të bëhet një nga aktorët më të njohur të skenës shqiptare.