Durrës, arrestohet pasi vodhi në banesën ku pastronte/Kishte dy bashkëpunëtorë!
Një 33-vjeçare e punësuar për të pastruar në një banesë në Durrës, u arrestua për vjedhje. Në pranga ra dhe bashkëpunëtori i saj, një 42-vjeçar F.H., ndërsa vëllai i tij A.H. 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Ndonëse është përpjekur që të mos linte gjurmë nga skena e vjedhjes, pronari i banesës, Sh.Gj. 59 vjeç, sapo konstatoi se i mungonin para, bëri kallëzim në Policinë e Durrësit.
Fillimisht, ka përvetësuar një çelës të shtëpisë duke i bërë kopje. Këtë kopje ia vuri në dispozicion dy vëllezërve dhe këta të fundit i njoftoi kur në banesë nuk kishte asnjë prej anëtarëve të familjes që e kishin punësuar. Vëllezërit kanë vjedhur një unazë, një varëse floriri, si dhe një shumë parash.
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Gj., 59 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës, se në banesë i kishin vjedhur pa thyerje dyshohet nëpërmjet çelësit të derës, një shumë parash dhe bizhuterish, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti. Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në bashkëpunim me Prokurorinë është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, mekanizmi i vjedhjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kopja” është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: F.H., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës dhe E.K, 33 vjeçe, banuese në lagjen nr. 11, Durrës. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. H., 36 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës, ku vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet profesionale hetimore disa ditore, bazuar dhe në inteligjencën policore, kqyerjen e kamerave dhe veprimeve të tjera proaktive, dyshohet se shtetasja E. K., duke qenë se punonte si sanitare në banesën e shtetasit Sh.Gj, ka siguruar kopje të çelsit të banesës dhe ua ka dhënë vëllezërve E. H dhe A. H., si dhe i ka informuar për mos prezencën e familjarëve në banesë”, njofton policia.
Njërin prej vëllezërve, shtetasin A.H., policia ende nuk ka mundur ta arrestojë. Ndërkohë, në banesën e vëllait tjetër, F.H., janë gjetur edhe varësja e floririt, unaza dhe paratë e vjedhura të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bashkë me një makinë që kanë përdorur ditën e vjedhjes.
Sa i përket vjedhjeve të banesave nga sanitaret, padyshim që rasti më i bujshëm në vend mbetet ai i Alda Klosit.