Kompani: Dinamo Zagreb një skuadër e fortë, por fiton Bajerni
Trajneri i Bajernit, Vinsent Kompani, do të duhet të përballet pa mbrojtësin e djathtë Sasha Boei për ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve kundër Dinamo Zagrebit. 24-vjeçari grisi meniskun gjatë stërvitjes dhe do të mungojë për disa javë. I pyetur se si planifikon të zëvendësojë Boei, Kompani u përgjigj në konferencën për shtyp para duelit me kroatët:
“Kemi opsione. Do ta mendojmë sërish. Është afatshkurtër. Nuk kemi shumë kohë. Më vjen keq për Sashën, ai ishte në humor të mirë. Shpresojmë që ai të kthehet shpejt.” Në thelb, belgu shtoi: “Bëhet fjalë për djemtë që luftojnë. Kur shfaqen lojtarë të mirë, shanset për të fituar janë shumë të larta. Tani kemi korrur sukses në tri ndeshje. Ne duhet të vazhdojmë, fokusi është vetëm tek kjo.”
Bavarezëve i mungon edhe një tjetër mbrojtës i djathtë për një kohë, Josip Stanisic. Kur u pyet për futbollistin me tipare defensive “timonieri” i gjigantëve nga Mynihu tha: “Na mungon. Nuk duam të nxitojmë asgjë, gjëja më e rëndësishme është që ai të bëhet plotësisht në formë”.
Belgu dhe ekipi i tij trajnerëve analizuan në detaje kundërshtarët Dinamo Zagreb. Ai raportoi: “Është një ekip i talentuar, teknikisht i fortë. Ata janë mësuar të kenë topin shumë në të tretën e fundit dhe për këtë arsye të gjejnë boshllëqet. Është një kundërshtar që është i mirë në mbrojtjen e portës, kështu që ata nuk lënë shumë hapësirë. Ne duam të vazhdojmë lojën tonë. Shpresojmë që kjo të na sjellë sukses.”