Në Korenë e Jugut janë shitur më shumë karroca për qen se sa për foshnje!
Në vend që të kenë fëmijë, koreano-jugorët preferojnë të kenë qen, gjë që ka bërë që shitjet e karrocave të qenve të tejkalojnë atë të karrocave për fëmijë për herë të parë në historinë e saj. Zyrtarët në Korenë e Jugut po panikosen, pasi është një tregues tjetër i rënies së nivelit të lindjeve në Seul, vendi aziatik mban nderin që tani ka normat më të ulëta të lindshmërisë në botë.
Një raport nga Gmarket, një operator i platformës së tregtisë elektronike në vend, zbulon se shitjet e karrocave për kafshët shtëpiake kanë tejkaluar ato të karrocave për bebe në 2023 dhe ky trend vazhdon edhe këtë vit. Në vitin 2023, të dhënat treguan se 43% e numrit total të karrocave të shitura në platformë gjatë tre tremujorëve të parë ishin për foshnjat njerëzore, ndërsa 57% e mbetur ishin karroca të dizajnuara për kafshë, kryesisht qen dhe mace.
Të dhënat tregojnë një tendencë të qëndrueshme që nga viti 2021, raporti i shitjeve të karrocave për foshnja po bie. Atë vit përqindja ra në 67% dhe tani është 43%. Ndërkohë, shitjet e karrocave për kafshët shtëpiake vazhdojnë të rriten, nga 33% në 2021 në 57% këtë vit. Yoon Hyun-shin, kreu i Pet Friends, platforma më e madhe në internet e tregtisë së kafshëve shtëpiake në Korenë e Jugut, gjithashtu pajtohet me këto të dhëna. Në një raport të Wall Street Journal, ai thekson se shitjet e karrocave të qenve janë katërfishuar që nga viti 2019.
Kostoja e lartë e jetesës në Korenë e Jugut dhe dëmtimi i mundshëm i karrierës janë arsyet kryesore pse shumë gra zgjedhin të mos kenë fëmijë. Natyra patriarkale e Koresë së Jugut është një tjetër faktor pse shumë gra po zgjedhin të mos jenë nëna. E përballur me shkallën më të ulët të lindjeve në botë, Koreja e Jugut po prezanton stimuj financiarë për të trajtuar krizën e saj demografike. Në distriktin Saha të Busanit, një program i ri u ofron banorëve deri në 38,000 dollarë për t’u njohur dhe për t’u martuar, duke inkurajuar çiftet të krijojnë familje.