Gent Lasku rrëfehet për romancën me Eneda Tarifën: Kemi vuajtur shumë por…
Eneda Tarifa dhe Gent Lasku janë padyshim ndër çiftet që më së shumti kanë vëmendjen e ndjekësve. Historia e tyre e dashurisë u zbulua rreth 1 vit më parë, ku të dy, nga dy martesa të dështuara gjetën më në fund dashurinë.
Që atëherë, çifti i ka pasur të rralla daljet televizive, por gjithnjë kur ishin prezent, nuk linin pa folur me shumë dashuri për njëri-tjetrin. Këtë herë ka qenë ish-sportisti, që ka ndarë me publikun detaje nga kjo histori dashurie. I ftuar në një emision televiziv për të folur rreth muzikës dhe ndikimit që ajo ka në gjendjen shpirtërore, ishte Gent Lasku, i cili ka shkruar tekstin e këngës “Më fort”, me të cilën partnerja e tij, këngëtarja Eneda Tarifa, konkurron në “Kënga Magjike”
Lasku u shpreh se muzika të bën që disa gjëra t’i përjetosh ndryshe. Ai u shpreh se si çift ndajnë histori të ngjashme dhe zbuloi se ishte vetë këngëtarja që donte të bënte një këngë e cila të tregonte historinë e saj dhe mënyrën se si ajo ia ka dalë të përballojë gjithçka.
“Unë dhe Eneda jemi një çift që vjen së bashku me njëri-tjetrin me eksperiencë, pra kemi kaluar shumë. Në vlerësim dhe falënderim të plotë të gjithçkaje që kemi kaluar, sepse na ka shërbyer kjo eksperienca, dhe një nga gjërat që kemi bërë është që të flasim me njëri-tjetrin. Kështu që unë e di historinë e jetës së Enedës, e kemi shumë të ngjashme dhe kur po diskutonte, ajo donte të bënte një këngë për veten e saj, për jetën e saj dhe për “luftën” që ka bërë. Jo në mënyrën e tregimit, por se çfarë e shtyu të mësonte dhe t’i kalonte. Dhe kënga flet pikërisht për njohjen e dualitetit të gjendjes shpirtërore që ti ke, sepse nëse ti je një femër, ke dhe një mashkull brenda, dhe kjo i lind femrës në momentet më të vështira të jetës,” u shpreh Lasku.
Nga ana tjetër, Eneda tha se ajo dhe Genti donin të bënin diçka të fortë, të bukur dhe frymëzuese, pasi është në një periudhë që dëshiron të bëjë këngë pozitive dhe motivuese.