BE jep dritën jeshile. Një karikues për të gjitha pajisjet!
BE jep dritën jeshile për një karikues për të gjitha pajisjet. Deri në vitin 2024 në Bashkimin Evropian duhet të ekzistojë një pajisje e njëjtë për mbushje të baterive të telefonave, tabletëve dhe kamerave.
Parlamenti Evropian ka votuar të martën në të mirë të këtij ndryshimi, me 602 vota për dhe vetëm 13 vota kundër.
Kompania amerikane Apple pritet të preket më së shumti nga ky vendim, pasi nënkupton që ajo duhet të ndryshojë portën e mbushjes së baterive të pajisjeve të saj.
Votimi i së martës konfirmon një marrëveshje të mëparshme në mes të institucioneve të bllokut evropian që të ekzistojë vetëm një pajisje universale, sipas standardeve të BE-së.
Ndër kompanitë më të mëdha teknologjike: Apple, Samsung dhe Huawei, nuk e kanë komentuar ende këtë vendim.
Apple ka paralajmëruar në të kaluarën se propozimi i BE-së mund të dëmtojë inovacionin dhe të krijojë një mal të mbetjeve elektronike.
Ky ndryshim është diskutuar me vite, dhe është nxitur nga ankesat e përdoruesve të pajisjeve të prodhuara nga Apple dhe Samsung, të cilët është dashur të përdorin mbushës të ndryshëm për pajisjet e tyre.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se një mbushës i vetëm i baterive, mund t’i kursejë tregut të konsumatorëve 250 milionë euro.