Elon Musk ndryshon mendje, i rikthehet marrëveshjes për blerjen e Twitter-it!

vovalbania October 05, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Elon Musk ndryshon mendje, i rikthehet marrëveshjes për blerjen e Twitter-it!

Miliarderi Elon Musk ka ndryshuar sërish mendjen rreth blerjes së Twitter-it, e tani deklaron se është i gatshëm të vazhdojë me procedurat për blerjen e kësaj platforme të medias sociale. Në një letër dërguar kësaj kompanie, Musk shprehet dakord të paguajë çmimin që kishte ofruar disa muaj më herët, përpara se të tërhiqej nga akordi. Ky ndryshim i qëndrimit vjen vetëm disa javë para se të dyja palët të përballeshin në gjykatë lidhur me këtë çështje. Gjasat ishin të mëdha për Twitter-in që ta fitonte procesin gjyqësor.

Përfaqësuesit e kompanisë e paditën Musk-un, për ta detyruar të vazhdonte me marrëveshjen për blerjen e kompanisë, ndërsa ishin të favorizuar. Në letër, avokatët e Musk-ut, informuan se ai dëshiron që të vazhdojë me përfundimin e transaksionit dhe se ka kërkuar t’i jepet fund betejës ligjore.

Një zëdhënës i Twitter-it tha se kompania pranoi letrën dhe planifikon që të mbyllë marrëveshjen me çmimin prej 54.20 dollarë për aksion, aq sa kishte ofruar Musk në muajin prill. Ky vendim i Elon Musk-ut bëri që aksionet e Twitter-it të rriteshin me më shumë se 20 për qind apo 52 dollarë për një aksion. Por, vlera e një aksioni është më e ulët se çmimi që Musk ka ofruar.

Kur fillimisht shpalosi dëshirën e tij për ta blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë, ai pati thënë se dëshironte të hiqte llogaritë e rreme e ta ruante platformën si një vend për lirinë e shprehjes. Por, miliarderi u tërhoq nga blerja e kompanisë vetëm disa javë më vonë, duke deklaruar se ka shqetësime se numri i llogarive të rreme në platformë është më i lartë nga sa Twitter ka raportuar.

Drejtuesit e Twitter-it i hedhin poshtë këto akuza, duke argumentuar se Musk, personi më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 220 miliardë dollarësh dëshironte që të tërhiqej nga marrëveshja për blerjen e platformës për shkak të çmimit. Akuzat reciproke u pasuan nga një rënie e madhe e vlerës së aksioneve të teknologjisë, përfshirë edhe të Tesla-s, kompanisë që prodhon makina elektrike e që është në pronësi të Elon Musk-ut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE