Putin urdhëron konfiskimin e projektit ndërkombëtar Sakhalin-1!

vovalbania October 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Putin urdhëron konfiskimin e projektit ndërkombëtar Sakhalin-1!

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për instalimin e një operatori të ri në projektin e madh ndërkombëtar të gazit dhe naftës, Sakhalin-1, në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë. Një hap i tillë prek miliarda dollarë investime të kompanive amerikane, japoneze e indiane.

Dekreti i fundit duket se është përsëritje e strategjisë që ka përdorur Kremlini së fundi për të marrë kontrollin e aseteve të energjisë që janë në pronësi të huaj. Putin urdhëroi që qeveria ruse të ketë autoritet për të vendosur nëse palët e huaja do të mund të kenë aksione në projektin masiv të naftës dhe gazit, Sakhalin-1.

Ky hap, drejt nacionalizimit, ndërlikon edhe më shumë përpjekjet e kompanisë amerikane, Exxon Mobil që të largohet nga Rusia, prej kohës kur Perëndimi i ka vënë sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt. Exxon ka 30 për qind të aksioneve në projektin Sakhalin-1. Situata vështirësohet edhe për kompaninë japoneze, Sodeco, e cila ka 50 për qind të aksioneve dhe kompaninë indiane, ONGC Videsh. As Exxon dhe as Sodeco nuk e kanë komentuar dekretin e Putinit.

Në urdhrin e Kremlinit përmendet themelimi i një kompanie ruse, si degë e Rosneftit, Sakhalinmorneftegaz, për të kontrolluar të drejtat e investitorëve në Sakhalin-1. Pas themelimit të kompanisë, investitorët e huaj do të kenë një muaj kohë për të kërkuar aksione në këtë projekt, përmes rrugëve të qeverisë ruse. Shtetet e Bashkuara dhe Japonia i kanë vënë sanksione të ashpra Rusisë për luftën në Ukrainë, ndërsa India ka qëndruar kryesisht e heshtur.

Projekti Sakhalin-1 vepron në tre zona të Detit Okhotsk dhe përmes një teknologjie të avancuar krijohet akses në disa prej puseve më të thellë në botë. Në muajin korrik, Putin firmosi një tjetër dekret për të fituar kontrollin e plotë mbi projektin simotër, Sakhalin-2. Në projekt kanë qenë partnerë kompanitë: Shell, Mitsui & Co dhe Mitsubishi Corp.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65809 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE