Sulme në Zaporizhja, 17 viktima!

vovalbania October 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulme në Zaporizhja, 17 viktima!

Sulme ruse me raketa në Zaporizhja të Ukrainës, shkaktohen 17 viktima. Pesë shtëpi u shkatërruan dhe rreth 40 të tjera u dëmtuan në zonën e kontrolluar nga ushtria ukrainase në këtë qytet. Zaporizhja u aneksua javën e kaluar nga Rusia, një hap i konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi njoftoi se u dëmtua linja që siguron energji elektrike në centralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainë. Kjo si pasojë e sulmeve të vazhdueshme. Për këtë arsye janë aktivizuar gjeneratorët e situatës emergjente për ftohjen e reaktorëve dhe sigurinë bërthamore. Grossi tha se situata në central po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Pas shpërthimit të djeshëm me tre viktima, Rusia rrit nivelin e sigurisë në të vetmen urë që e lidh me gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin ia aneksoi Ukrainës para 8 viteve. Presidenti Vladimir Putin urdhëroi Shërbimin Federal të Sigurisë, FSB që ta mbikëqyrë, ndërsa menjëherë nisën punimet për të rregulluar segmentet e dëmtuara.

Pamjet satelitore shfaqën tym dhe zjarr në pjesët e shkatërruara të urës, e hapur me shumë entuziazëm në vitin 2018. E cilësuar si “ndërtimi i shekullit” nga mediat ruse, me nisjen e luftës më 24 shkurt, Moska e konsideron “kyçe” për kalimin e mjeteve ushtarake, municioneve dhe forcave të armatosura për në jug të Ukrainës. Në fjalimin e mbrëmshëm, presidenti Zelensky iu referua të djeshmes si “ditë kryesisht me diell në vend”.

Më herët, rusët shpreheshin se ura është e sigurt nga kërcënimet ajrore, tokësore e ujore, pavarësisht afërsisë me territoret e kontrolluara nga Ukraina. Një komitet kundër-terrorizmit bëri të ditur se “dëmet u shkaktuan nga një kamion-bombë”. Disa orë pas shpërthimit, Rusia emëroi një komandant të ri për trupat në Ukrainë. Sergei Surovikin ka drejtuar forcat e Moskës në Siri dhe akuzohet për mbikëqyrjen e shkatërrimit të qytetit sirian Alepo.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE