Kurorëzimi i patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës!

vovalbania October 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurorëzimi i patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës!

Në manastirin e Patrikanës së Pejës, në perëndim të Kosovës, nisi ceremonia e kurorëzimit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në fronin e kryepeshkopit të Pejës dhe patriarkut të serbëve. Kjo kishë dhe besimtarët shënojnë festën fetare të manastirit të Patrikanës së Pejës. Akti i kurorëzimit të patriarkut bëhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij si udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe.

Në ceremoninë e kurorëzimit po marrin pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, si dhe qytetarë serbë nga Kosova e shtetet e rajonit. Prej dy ditësh, Porfirije po qëndron në Kosovë, ku u prit nga peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, si dhe nga klerikët e murgjit e tjerë.

Sa herë që vijmë këtu në Kosovë kemi një ndjenjë të thellë se jemi kthyer te vetvetja.

Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka përgatitur një plan operativ për garantimin e sigurisë. Ky plan që hyri në fuqi më 12 tetor, pritet të zgjasë deri në përfundimin e aktit të kurorëzimit.

Manastiri i shekullit XIII në Patrikanën e Pejës është vendi ku sipas traditës, patriarkët serbë marrin detyrën. Aty u kurorëzua patriarku i parë i Patrikanës Serbe, Dimitrije, më 24 gusht të vitit 1924. Më vonë u kurorëzuan edhe pasuesit e tij në fronin e Shën Savës.

Në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, patriarku Porfirije tha se prioriteti i parë, si për të ashtu edhe për Kishën do të jenë “serbët e vuajtur nga Kosova, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët që janë kudo në botë”.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ndaloi hyrjen. Vendimin e quajti “më skandalozi” duke i mohuar pjesëmarrjen në kurorëzimin e patriarkut në Patrikanën e Pejës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se “më e rëndësishme është që ka ardhur patriarku Porfirije” dhe se “kisha duhet të veprojë veçmas nga politikanët”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65810 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE