Dokumentat e sekuestruara Trump-it, Departamenti i Drejtësisë kundër emërimit të një eksperti!
Departamenti Amerikan i Drejtësisë i kërkoi një gjykate federale të apelit, të anulojë vendimin e një gjyqtareje për emërimin e një eksperti të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara gjatë një kontrolli të FBI-së në rezidencën e ish-presidentit republikan, Donald Trump në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Apeli është lëvizja e fundit në përpjekjet disa javore mbi kompetencat e ekspertit, gjithashtu i njohur si një gjykatës special. Për të inspektuar mijëra të dhëna të marra në kontrollin e 8 gushtit në Mar-a-Lago e për të shmangur nga hetimi dokumenta që mund të mbrohen nga pretendimet për privilegj ekzekutiv ose ligjor, ky ekspert u caktua muajin e kaluar nga një gjykatëse
Procesi për ekspertin e posaçëm ka shkaktuar disa vonesa në hetimin e Departamentit të Drejtësisë lidhur me mbajtjen e dokumenteve sekrete në Mar-a-Lago. Por, një pengesë e madhe u eliminua muajin e kaluar kur një Gjykatë Apeli vendosi që Departamenti të rifillonte të shqyrtonte dokumentet e klasifikuara të sekuestruara, një aspekt thelbësor ky i hetimit të tij penal.
Megjithatë juristët e Departamentit Amerikan të Drejtësisë u kthyen në gjykatë një ditë më parë, për të kërkuar ndërprerjen e plotë të shqyrtimit nga eksperti i posaçëm, duke deklaruar se gjyqtarja e cila bëri emërimin, nuk kishte asnjë bazë për ta bërë një gjë të tillë dhe se ish-presidenti Donald Trump nuk kishte të drejtën për një rishikim të pavarur të të dhënave të sekuestruara ose të pretendimit të privilegjit ekzekutiv mbi to.
Në përmbledhjen e Departamentit thuhet:
Prandaj, procesi i rishikimit nga eksperti i posaçëm është i pajustifikuar. Paditësi nuk ka asnjë pretendim të besueshëm për privilegj ekzekutiv për asnjë nga materialet e sekuestruara dhe asnjë pretendim të besueshëm për privilegjin personal avokat-klient sa i përket të dhënave të sekuestruara të qeverisë, përfshirë të gjitha të dhënat e klasifikuara.