Pedagogët të vendosur të vijojnë protestën/Kovaçi: Universiteti të mos shkojë drejt greminës!

vovalbania October 20, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pedagogët të vendosur të vijojnë protestën/Kovaçi: Universiteti të mos shkojë drejt greminës!

Pedagogët e universiteteve vijuan sot me protestën e radhës për realizimin e kërkesave të tyre. Protesta u mbajt në sheshin përpara universitetit Politeknik në Tiranë.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se protesta duhet të vazhdojë që universiteti të mos shkojë drejt greminës.

Situata aktuale është që gjendja e universiteteve me këtë lloj financimi të kërkimit shkencor, me këtë lloj nënvlerësimi të këtij sektori nga qeveritë, përfshirë rëndimin e kësaj situate me qeverinë aktuale, këtu do përfundojë, me universitete që bien gjithnjë e më poshtë. Do ngelemi pa studentë. Sot është momenti pa kthim për të ndjekur protestën tonë, që të bëhet diçka për universitetet që të mos shkojnë drejt greminës.

Universiteti është vend i shpresës, por çfarë shprese mund të ngjallin ato në Shqipëri, me pedagogët të keqpaguar, mjedise të parikonstruktuara, pa kushte për mësim. Ndaj të ngrihemi për universitetin që ngjall shpresë ose vendi s’ka të ardhme.

Kovaçi i bëri thirrje rektorëve që të mbështesin protestën dhe të thërrasin Konferencën e Rektorëve.

Në peticionin e firmosur nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave kërkohet rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik e administrativ. Në peticion propozohet të arrihet niveli i pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20% në tetor 2023, rritjen e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3% e GDP, më 2023.

Ndërsa pedagogët protestojnë duke kërkuar plotësimin e 9 kërkesave, përfshirë rritjen e pagave, kryeministri Rama shkruan se “asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar!”. “Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes së dimrit, kur të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria!” – theksoi Rama në Twitter.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE