Lufta në Ukrainë, forcat ukrainase bombardojnë pozicionet ruse në Kherson!
Forcat ukrainase bombarduan pozicionet ruse në rajonin e pushtuar e të aneksuar ilegalisht të Khersonit, duke shënjestruar rrugët e furnizimeve në lumin Dniepër. Duket se forcat e Kievit po përgatiten të kryejnë një sulm të plotë ndaj qytetit Kherson. Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “88 vendbanime në rajonin jugor të Khersonit e 551 në rajonin verilindor të Kharkivit janë çliruar”.
Kyrylo Tymoshenko, zv.shef i Zyrës së Zelensky-t publikoi këto të dhëna, të parat që nga koha kur ushtria ukrainase nisi kundërofensivën disa javë më parë në Kherson dhe Kharkiv. Ndërkaq, Zelensky shtoi se forcat e tij po tregojnë “rezultate të mira” në rimarrjen e territorit nga forcat ruse në Kherson.
Ukraina po tenton të dëbojë trupat ruse nga Khersoni, duke i sulmuar nga pjesa lindore e lumit Dinepër. Forcat e Moskës që gjenden në pjesën perëndimore të bregut të këtij lumi ku ndodhet edhe qyteti i Khersonit, raportohet se janë afër humbjes së linjave të furnizimeve e të përforcimeve.
Në Këshillin e Sigurimit, SHBA-të bënë thirrje për një hetim OKB-së mbi akuzat për përdorimin e dronëve iranianë nga Rusia në luftën kundër Ukrainës. Më herët, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i drejtuan apele të ngjashme OKB-së.
Ndërkohë, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebensya i përshkroi zhvillimet si “situatë e egër” e përsëri hodhi poshtë akuzat se dronët iranianë po përdoren në luftën kundër Ukrainës. Po ashtu, paralajmëroi kundër një hetimi të OKB-së mbi çështjen. “Nëse kjo ndodh, Rusia duhet të rishqyrtojë bashkëpunimin me OKB-në”, – tha Nebensya, duke i bërë jehonë një deklarate të ngjashme nga zëvendësi i tij, ditë më parë.
Ukraina ka nevojë për fluks të parashikueshëm e të qëndrueshëm të ardhurash, për të ardhmen. Këtë e deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. BE-ja diskutoi mbi fondin prej 1.5 miliardë eurosh për Ukrainën në muaj, duke filluar nga viti i ardhshëm, për të pasur burime të mjaftueshme në gjërat themelore. E paqartë nëse do të jenë grante, kredi apo ndonjë tjetër format financimi.