Kinë, Xi Jinping merr mandatin e 3-të presidencial/Lideri më i fuqishëm nga koha e Mao Ce Dunit!

vovalbania October 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kinë, Xi Jinping merr mandatin e 3-të presidencial/Lideri më i fuqishëm nga koha e Mao Ce Dunit!

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, promovon aleatët më të ngushtë në aparatin drejtues të Partisë Komuniste. 69-vjeçari konsolidoi edhe më shumë pushtetin, pasi sot mori mandatin e tretë presidencial. Në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, emëroi katër aleatë, përfshirë dy ish-sekretarët e tij, të cilët i mbështesin vizionin për kontroll më të fortë mbi shoqërinë dhe ekonominë.

Shefi aktual i Partisë Komuniste në Shangai, Li Qiang, pritet të marrë postin e kryeministrit nga Li Keqiang, i cili del në pension vitin e ardhshëm. Li Qiang shihet si person i afërt me Xi, pasi të dy kanë punuar në provincën Zhejiang në fillim të viteve 2000. Po ashtu, ndihmësi Ding Xuexiang, shefi i PK-së në Guangdong, Li Xi dhe kreu i saj në Pekin, Cai Qi, gjithashtu u emëruan në organin kryesor të partisë.

Sipas analistëve, më shumë se te aftësitë, emërimet u bënë bazuar në besnikërinë ndaj liderit kinez. Asnjë nga 7 anëtarët e Komitetit të Përhershëm nuk është grua apo pjesëtar i ndonjë pakice etnike. Në pushtet prej 2012-ës, Xi fitoi mandatin e tretë 5-vjeçar si sekretar i përgjithshëm, duke thyer traditën e vetëm dy mandateve. Disa presin që të tentojë të qëndrojë në pushtet përjetësisht.

Një dekadë më parë, lideri kinez u bë udhëheqësi më i lartë kur u emërua sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak në Kongresin e 18-të të partisë. Në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste që nisi më 16 tetor, Xi siguroi mandatin e tretë, duke vulosur statusin e tij si udhëheqësi më i fuqishëm i vendit që nga koha e Mao Ce Dunit, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës.

Xi e akumuloi fuqinë përmes lëvizjeve specifike, por edhe gradualisht, me kalimin e kohës. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai e zhvendosi Kinën nga një traditë e udhëheqjes kolektive, me sekretarin e përgjithshëm, i cili konsiderohej i pari ndër të barabartët në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, në atë që tani shihet gjerësisht si lidership suprem.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65848 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE