Mbyllet java e 10-të e Superiores, Tirana mposht Kukësin, Egnatia i rrëmben fitoren Partizanit!
Tirana lë pas disfatën me Erzenin dhe nis fazën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme, me kampionët e Shqipërisë të cilët triumfuan pastër dhe bindshëm 4-1 përballë Kukësit.
“Bardheblutë” kontrolluan të gjithë sfidën, ndaj një kundërshtari i cili u dorëzua pa kushte.
Të besuarit e Shehi-t kaluan në avantazh në minutën e 42-të me anë të Hasani-t, por avantazhi zgjati pak, pasi në minutën e dytë shtesë (45+2) Basha realizoi golin e barazimit.
Një finalizim që krijoi idenë se takimi u rihap, por ishte vetëm një iluzion, pasi Tirana dominoi jo vetëm në lojë, por edhe në rezultat.
Në minutën e 72-të, qendërmbrojtësi Behiratche realizoi duke kaluar përsëri në avantazh “badheblutë”, ndërsa 9 minuta më pas, Patrick realizoi golin e tretë duke “fundosur” verilindorët.
Për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide mendoi Limaj, i cili përktheu në gol një penallti të fituar nga Patrick në minutën e 87-të.
Një sukses bindës për Tiranën që shkon kështu në kuotën e 18-të pikëve dhe shfrytëzon në maksimum hapin fals të Partizanin, me kampionët të cilët janë vetëm një pikë larg “demave”, ndërsa për Kukësin kjo ishte humbja e dytë radhazi dhe e 5 në këtë sezon dhe mbetet me 11-të pikë në vendin e shtatë.
Në Rrogozhinë, Egnatia fitoi 3-0 me Partizanin në javën e 10-të të Superligës. Skuadra e Egnatias ia doli që të marrë fitoren e dytë radhazi me Shpëtim Duron në stol. Pas Kukësit, rrogozhinasit kalojnë edhe kryesuesit e Partizanit që “dridhen” por mbeten ende në vendin e parë në renditje. Ndeshja do vendosej në shtesën e pjesës së parë. Prekja me dorë e Bitrit në zonë u kthye në një penallti për vendasit, që shënuan me Fernando në të 45+2 minutë. Teksa dukej se pjesa e parë do mbyllej, një gafë e Bitrit dhe një kundërsulm “vrasës” i Egnatias dërgoi Zejnullain te goli. Me avantazhin e dy golave, pjesa e dytë u zhvillua e qetë për vendasit dhe pa agresivitetin e duhur nga Partizani. Djemtë e Colella u ndëshkuan nga dopieta e Zejnullai në minutën e 70, për një gol vërtet të bukur. Me këtë fitore Egnatia shkon në vendin e katërt me 15 pikë, teksa Partizani me 19 pikë është në krye të renditjes, një më shumë se Tirana ndjekëse.