Tragjedi në ajër, dy avionë të Luftës së Dytë Botërore përplasen në Dallas gjatë një shfaqeje!
Dy avionë të vjetër të epokës së Luftës së Dytë Botërore u përplasën dhe u rrëzuan në një shfaqje ajrore në shtetin amerikan të Teksasit, duke shkaktuar të paktën dy viktima. Pamjet tregojnë avionët, përfshirë një Boeing B-17 Flying Fortress, që goditen mes tyre, në një lartësi të ulët e për pasojë, njëri nga mjetet fluturues u nda në gjysmë dhe i përfshirë nga flakët, ra në tokë.
Shoqata që përfaqëson pilotët e American Airlines, njoftoi se Terry Barker e Len Root, dy ish-anëtarë të saj humbën jetën. Të tjera raportime mediatike sugjerojnë se deri në gjashtë persona mund të kenë gjetur vdekjen.
Një dëshmitari okular, i identifikuar si Chris Kratovil, i cili ishte mes mijëra njerëzve të mbledhur dje për të parë shfaqjen ajrore “Wings Over Dallas”, i tha BBC-së se pas asaj që ndodhi, asnjëherë nuk ka parë një turmë aq të qetë, sa hap e mbyll sytë.
Nga një turmë mjaft e emocionuar, energjike, menjëherë kaloi në heshtje e qetësi të plotë. Shumë njerëz, përfshirë dhe mua, i kthyen fëmijët drejt tyre dhe u larguan. Rrënoja të djegura mbetën në mes të fushës ajrore.
Administrata Federale e Aviacionit bëri të ditur se do të hetojë përplasjen e ndodhur në atë që njihet si “premiera ajrore e SHBA-ve në Luftën e Dytë Botërore” e që po mbahej pranë Dallasit, në nder të Ditës së Veteranëve.
Kryebashkiaku i Dallasit, Eric Johnson e cilësoi “tragjedi të tmerrshme”.
Videot të thyejnë zemrën. Ju lutemi, bëni një lutje për shpirtrat që u ngritën në qiell për të argëtuar dhe edukuar familjet tona!
Numri i viktimave ende nuk është konfirmuar, ndërsa në terren nuk u raportua për të lënduar.
Bombarduesi B-17 luajti rol të madh në fitoren e betejës ajrore kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mjeti i dytë, një P-63 Kingcobra ishte avion luftarak i përdorur në të njëjtën luftë, por vetëm nga Forcat Ajrore Sovjetike.
Hank Coates, nga Forca Ajrore Përkujtimore që organizoi ngjarjen u shpreh se zakonisht, B-17 ka një ekuipazh prej katër deri në pesë personash, ndërsa P-63, vetëm një pilot.
Kjo ishte një shfaqje ajrore e tipit demonstrues të fluturimit të Luftës së Dytë Botërore, ku ne tregojmë avionët dhe atë që janë në gjendje të bëjnë.