Arrestime për inceneratorin e Fierit, SPAK lëshon 11 urdhërarreste për mashtrim e pastrim parash!
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.82, datë 11.11.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, janë miratuar 11 (njëmbëdhjetë) masa sigurimi personale, nga të cilat 10 (dhjetë) masa sigurie “arrest në burg” dhe 1 (një) masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, njofton se ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
SPAK cilëson se objekti i hetimit të këtij procedimi penal janë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur në lidhjen e kontratës së koncesionit, me nr.5553/5, datë 24.10.2016, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vlerë të kontratës 32 831 440.85 (tridhjetë e dy milion e tetëqind e tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzet) euro, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.
Në vijim të hetimit, përveç të dhënave të bëra publike në njoftimet e mëparshme në lidhje me këtë procedim penal, kanë rezultuar edhe fakte penale të tjera.
Nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Mjedisit në fillim dhe më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) deri në datën 30.06.2022, janë bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në shumën 4,202,967,084 lekë. Rezulton se nga ana e shtetasit Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”sh.p.k, në bashkëpunim me shtetasin Arenc Myrtezani, administrator i kësaj shoqërie, janë pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara në vlerën 4,000,000 Euro, për shërbime që nuk janë kryer, vlerë e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe e përfituar në sajë të mashtrimit nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.
Shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka miratuar dhe më pas pasyqyruar/dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në vlerën 4,000,000 Euro, veprime në kundërshtim me ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave, nr.3, datë 15.02.2001, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.
Gjithashtu, SPAK sqaron se shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.
Po ashtu SPAK sqaron rrethanat e hetimit në lidhje me shtetasin Alqi Bllako.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 lekë.
Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020. Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.
Në vijim, SPAK sqaron se nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.
Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.
Shtetasi Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në bashkëpunim me administratorët e shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive “Pivot 04” sh.p.k, dhe “J.P.Y” sh.p.k”.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se shtetasit, Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani, kanë organizuar dhe vënë në funksionim skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Rezulton se gjatë periudhës 01.03.2017-01.05.2017, shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka realizuar blerje fiktive nga shoqëritë “Best Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Froggy”sh.p.k, me administrator Regan Merdani, “Frogy 03” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Itneg”sh.p.k, me administrator Gentian Zifla; “Leli-17”sh.p.k, me administrator Enver Sheshi; “Pupa Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani; “R.B-General Servis” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani dhe “R.S.I&T Group” sh.p.k, me administrator Robert Shabani, në vlerën totale 359,490,120 lekë. Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59,915,020 lekë.
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.82, datë 11.11.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, janë miratuar 11 (njëmbëdhjetë) masa sigurimi personale, nga të cilat 10 (dhjetë) masa sigurie “arrest në burg” dhe 1 (një) masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Masat e sigurisë personale janë miratuar për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, të Kodit Penal. Ekzekutimi i masave të sigurimit personal po bëhet nga Drejtoria Hetimore Qendrore e Policisë së Shtetit.