Ukraina vazhdon të pretendojë se ishin rusët pas sulmit në Poloni!
Ndërsa paraprakisht, NATO konkludoi se raketa në Poloni që iu kushtoi jetën dy vetëve erdhi nga sistemi i mbrojtjes ajrore ukrainase, por se ishte aksidental e Ukraina nuk ka faj, Kievi nuk pajtohet me këtë përfundim. Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov, tha sot se Ukraina është e gatshme t’u japë aleatëve të saj dëshmi të “gjurmëve ruse” në shpërthimin e një dite më parë në Poloni.
Pas një takimi urgjent të vendeve anëtare të NATO-s sot në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, deklaroi se sulmi në Poloni, me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Por, ai shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ky shtet e nisi luftën. Ndërkohë, Danilov vuri në dukje se “Ukraina po pret t’i marrë nga aleatët informacionet në bazë të së cilave u përcaktua se shpërthimi u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”. Kievi dëshiron të bëhet një “analizë e përbashkët” për ngjarjen e djeshme në Poloni.
Duke cituar dy diplomatë europianë, agjencia e lajmeve Reuters, tha se takimi në Bruksel mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s. Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrejnë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik. Më herët, presidenti polak Duda, tha se “sulmi nuk ishte i qëllimshëm”.
Nëse Moska përcaktohej fajtore, mund të aktivizohej parimi i NATO-s për mbrojtje të përbashkët, i njohur si Neni 5, pra sulmet ndaj njërit nga vendet anëtare të Aleancës, vlerësohen si sulm ndaj të gjithëve.
Aktivizimi i Nenit 5 nuk bëhet automatikisht. Pas sulmit në një vend anëtar të NATO-s, anëtarët e tjerë takohen për të vendosur nëse do ta vlerësojnë atë që ka ndodhur si situatë për Nenin 5. Më parë, Neni 5 i Traktatit të NATO-s është aktivizuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork e Uashington.