Kundër traut në hyrje të parkut të Divjakës, vazhdojnë protestat!
Edhe sot për të pestën ditë radhazi, qytetarë të Divjakës dolën në protestë kundër vendosjes së traut që nënkupton pagesë në hyrje të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta. Deputetët demokratë Ilda Dhori e Saimir Korreshi i janë bashkuar protestuesve, të cilët dje u përplasën me policinë, për të mos lejuar punimet për traun, duke çuar në ndërprerje të tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit synon vjeljen e të ardhurave nga zonat turistike. Një ditë më parë, ky dikaster reagoi duke vënë në dukje se bileta do të kushtojë 50 lekë e do të jetë vetëm për turistët, jo për banorët e zonës.
Vendosja e traut do të ofrojë aksesin e kontrolluar në park, përveç sigurimit të të ardhurave që do të ndihmojnë në menaxhimin efektiv e të qëndrueshëm.
Por, ky vendim peshon te bizneset e zonës, ndërsa Divjaka nuk bën pjesë në turizmin elitar e tarifat shtesë rëndojnë vizitorët. Qytetarëve iu dha të drejtë edhe deputeti socialist, Erion Braçe.
Ai park është mbrojtur atje nga njerëzit dhe është mbrojtur për shkak të lirisë që njerëzit kishin për të shkuar atje. Po këta të PNUD-it a kanë ndonjë përgjegjësi, meqë e financojnë këtë, për respektimin e të drejtave të njeriut për të lëvizur të lirë. Shikoni Kodin Rrugor! Ajo kioskë aty është e paligjshme. Eshtë ndërtim pa leje.
Braçe foli për interesa politike:
Ka një kakofoni që bëhet për interesa politike. Banorët e Bashkisë së Divjakës përjashtohen nga pagesa e këtij detyrimi, por kjo nuk ka rëndësi përderisa të tjerët ndalohen të kalojnë lirshëm. Për më tepër që po vendoset në një vend që nuk garanton sigurinë rrugore. Kjo nuk është e ligjshme!
Unë do të ndërmarr çdo lloj nisme që ta rrëzoj këtë projekt. Zyrtarët e Bashkisë së Divjakës janë telefonuar e kërcënuar se do të “fluturojnë” nëse e ndalojnë atë tra. Ata e kanë pezulluar përmes një vendimi kabinën atje, që është një kioskë. Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë telefonuar zyrtarë të Divjakës dhe u kanë thënë se do të “fluturojnë” nëse e pengojnë, ndërkohë që ata ishin në të drejtën e tyre, duke kërkuar të kishte leje ndërtimi.
Zyrtarët kanë shkuar pranë vendit ku po bëhej ky ndërtim pa leje. Janë telefonuar nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe janë kërcënuar!