“Nuk njoh as Ramë, as Berishë e as Metë”, revoltohet kryeplaku në Obot: Jemi pa ndihmë!
Kryetari i fshatit Obot i Vjetër në zonën e Shkodrës u shpreh se tokat përmbyten çdo vit për shkak të keqmenaxhimit të hidrocentraleve.
Pas takimit me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, banori tha se nuk njeh asnjë parti dhe se banorët kanë nevojë për ndihmë. Sipas tij deri më tani nuk ka pasur asnjë ndihmë nga autoritetet.
“Z. ministër i thashë ngelëm duke u mbytur vit për vit. Nuk na japim shpërblime asnjë. Unë jam kryetari i fshatit, jam pa parti, nuk njoh as Berishë, as Ramën, as Metën. Unë përfaqësoj popullin tim. 800 frymë jam, fushat mbillen çdo vit. Peleshi me tha do ta shohim më vonë, duhet të shikohet tani, jo më vonë. Fushat janë të mbjella, do na kalbet gruri”, tha ai.
Situata vijon të mbetet problematike në qarkun e Shkodrës, për shkak të reshjeve të dendura të shiut të ditëve të fundit.
Mbi 480 familje aktualisht janë nën ujë dhe deri më tani janë evakuuar 30 familje. Zonat më problematike janë në njësitë: Dajç, Velipojë, Gur i Zi, Bërdicë dhe një lagje e qytetit, Ajasëm.