“The Times”: Kthim i menjëhershëm për shqiptarët që duan azil për skllavërinë moderne!
Azilkërkuesit shqiptarë vazhdojnë të mbeten në fokusin e zyrtarëve dhe mediave britanike. “The Times” shkruan se autoritetet vendase po insistojnë që personat të cilët kërkojnë azil me pretendimin e skllavërisë moderne dhe shpresën se kështu do të shmangin faturat e lidhura me trajtimin e një emigranti, te depërtohen menjëherë drejt vendit të tyre të origjinës. Aktualisht, shqiptarët janë ndër emigrantët më të shumtë që në Angli po kërkojnë azil me këtë arsyetim.
Sipas shtypit anglez, duke e konsideruar Shqipërinë vend të sigurt, pavarësisht rrëfimeve tronditëse mbi realitetin, emigrantët e paligjshëm mund të kthehen para se t’i verifikohen kërkesat për azil. “Shqiptarët që abuzojnë me ligjin britanik të skllavërisë moderne për të shmangur dëbimin, mund të riatdhesohen në Shqipëri. Pretendimet e tyre si viktima të skllavërisë moderne, të shqyrtohen në vendin e vet”, thuhet në shkrimin e “The Times”, referuar dhe bisedës së kryeministrave Rishi Sunak e Edi Rama.
E përditshmja britanike që zbulon detaje të reja nga telefonata, thekson se dy shefat e qeverive folën lidhur me shqiptarët që abuzojnë me ligjin britanik të azilit. Sipas “The Times”, “dy liderët kanë diskutuar mundësinë që emigrantët ilegalë shqiptarë të cilët mbërrijnë me gomone, të mund të dëbohen pa pasur mundësi apelimi për refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil”.
Ndërkohë, “The Telegraph” i bën jehonë rastit befasues të një emigranti shqiptar, i cili u kap në një shtëpi bari duke rritur kanabis me vlerë 250 mijë paund dhe që përpara policisë pohonte:
Më mirë në burg në Angli se në Shqipëri.
Runi Firaku së bashku me Drilon Sulajn, Andi dhe Ermir Zyberajn u arrestuan gjatë një aksioni policor në Kent, në muajin gusht të këtij viti. Firaku 43-vjeç kishte vetëm pesë ditë brenda banesës, gjithashtu i mbërritur ilegalisht në Britaninë e Madhe, më 5 gusht. Para gjykatësit, avokatët mbrojtës thanë se shqiptarët ishin nën presion për t’i shlyer borxhin trafikantëve./ Top Channel