Shpërthen vullkani në Indonezi, 2 mijë të evakuuar!
Në Indonezi, shpërthimi i vullkanit në Malin Semeru, ka çuar në evakuimin e banorëve në Xhava, ishullin kryesor të vendit. Si masë paraprake, autoritetet indoneziane ngritën nivelin e paralajmërimit në shkallën më të lartë, çka do të thotë se aktiviteti vullkanik u përshkallëzua. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar, por pothuajse 2 mijë persona u larguan nga zona në afërsi të vullkanit.
Po ashtu, banorëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë të paktën 8 kilometra larg vullkanit. Kjo pasi “valë të nxehta” të llavës po vazhdojnë të derdhen nga Semeru.
“Ngritja në nivelin katër të rrezikut nënkupton se shtëpitë e tyre janë në rrezik”. Kështu u shpreh një zëdhënës i Qendrës së Vullkanologjisë dhe Gjeologjisë së Indonezisë.
Agjencia Kombëtare për Fatkeqësitë raporton:
Për shkak të shiut dhe hirit vullkanik, nga fshatrat përreth janë evakuuar 1 mijë e 969 persona.
Kjo agjenci konfirmoi se të paktën gjashtë fshatra janë prekur. Pas shpërthimit të vullkanit, Japonia lëshoi paralajmërim për cunami në ishujt e saj në jug.
Vullkani Semeru nisi shpërthimin në orën 02:46 të mëngjesit, sipas asaj lokale. Indonezia gjendet në “Unazën e Zjarrit” e ku përplasen dy pllaka tektonike. Kjo bën që shpeshherë, vendi të përballet me tërmete dhe ka aktivitet të lartë vullkanik.
Semeru, gjithashtu i njohur si Mali i Madh është vullkani më i lartë në Xhava, pasi gjendet në 3 mijë e 676 metra lartësi e po ashtu përfaqëson një prej vullkanëve më aktiv. Vitin e kaluar, ky vullkan shpërtheu duke shkaktuar të paktën 50 viktima.