Rusia akuzon Ukrainën për granatime në centralin bërthamor

vovalbania August 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusia akuzon Ukrainën për granatime në centralin bërthamor

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 8 gusht se Ukraina ka granatuar centralin bërthamor të Zaporizhjas më 7 gusht, duke dëmtuar linjat e tensionit të lartë dhe duke bërë që të reduktohet prodhimi në këtë central.

Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Në përditësimin ditor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina kreu granatime rreth orës 12:40 pranë pozicioneve në qytetin Marhanets.

Granatimet, siç pretendoi Rusia, dëmtuan linjat e tensionit të lartë që furnizojnë me energji rajonet e Zaporizhjas dhe Hersonit – që janë nën kontrollin rus – në jug të Ukrainës.

Sipas Moskës, këto grantime kanë ndërprerë furnizimet me energji.

Kievi ka mohuar se ka sulmuar centralin bërthamor. Kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore, Energoatom, tha të dielën se një punëtor u lëndua pasi forcat ruse granatuan centralin të shtunën mbrëma.

Këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavrur.

Rusia ka marrë kontrollin e Zaporizhjas në ditët e para të pushtimit të Ukrainës. Centrali, megjithatë, operohet nga stafi ukrainas.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se çdo sulm ndaj centralit më të madh në Evropë mund të cilësohet si “akt i vetëvrasjes”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje që inspektorëve ndërkombëtarë t’u jepet qasje në centralin bërthamor të Zaporizhjas.

Kjo thirrje më 8 gusht e shefit të OKB-së u bë pasi Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza lidhur me granatimet gjatë fundjavës në centralin më të madh bërthamor në Evropë.

“Çdo sulm në centralin bërthamor do të ishte një akt i vetëvrasjes”, tha Guterres gjatë një konference në Japoni.

Guterres i bëri këto komente pasi gjatë fundjavës vizitoi Hiroshimën, ku mbajti fjalim në 77-vjetorin e sulmit të parë me bombë bërthamore në botë.

Ukraina tha se granatimet e reja ruse, që nisën më 6 gusht, kanë dëmtuar tre sensorë të rrezatimit dhe është lënduar një punëtor në centralin bërthamor të Zaporizhjas, që ishte dita e dytë e grantimeve mbi këtë central.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE