Bullgaria po dështon t’i integrojë refugjatët ukrainas
Për një kohë të gjatë, Svitlana Denichenko kishte punuar si infermiere në departamentin e anesteziologjisë. Çdo ditë, ajo kishte përgatitur anestezinë dhe më pas kishte monitoruar pacientët gjatë operacioneve dhe procedurave të tjera mjekësore. Ajo gjithashtu kishte shpëtuar jetë, ndonjëherë duke reanimuar pacientët ose duke kryer procedura të kujdesit intensiv.
Kur shkoi në Bullgari, pasi u largua për shkak të pushtimit rus të Ukrainës që nisi në shkurt, ajo e kuptoi shumë shpejt se aftësitë e saj profesionale nuk ishin të nevojshme. Prandaj, në vend se të vazhdonte të punonte në profesionin e saj, ajo pranoi që të punonte çfarë të mundte: si pastruese, ndihmëse dhe ndihmëskuzhiniere.“Aplikova për punë në të gjitha spitalet në Varna, por ata kurrë nuk më thirrën”, tha Denichenko duke iu referuar qytetit që gjendet në brigjet e Detit të Zi në Bullgari, ku aktualisht po jeton.
Rasti i Denichenkos nuk është i vetmi në Bullgarinë me 6.5 milionë banorë, që është një prej shteteve më të varfra të Bashkimit Evropian. Vullnetarët dhe ekspertët që punojnë me ukrainasit në Bullgari, i thanë Radios Evropa e Lirë se shumë refugjatë, që kanë profesione të rëndësishme, nuk po mund të gjejnë punë në sektorin e kujdesit shëndetësor, pavarësisht se shteti ka mungesë të mjekëve dhe infermierëve.
Por, në vend të temës për vendet e punës, debati politik në Bullgari është përqendruar në akomodimin e refugjatëve. Një program kombëtar për strehimin e refugjatëve në hotelet turistike shpesh është kërcënuar që të mbyllet, teksa autoritetet lokale u kanë thënë refugjatëve se ose duhet të paguajnë për akomodim ose të kthehen në shtëpitë e tyre.
Më 31 tetor, ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Ivan Demerdzhiev, njoftoi se shteti nuk do të paguante më për hotelet që strehojnë refugjatët ukrainas. Sipas planit që është propozuar, refugjatët që nuk mund të paguajnë për qëndrimin e tyre do të zhvendosen në ambiente ku shteti do t’i akomodojë.
Pavarësisht njoftimit të Demerdzhievit, Këshilli i Ministrave të Bullgarisë, një trup vendimmarrës i Qeverisë, në nëntor zgjati programin për strehimin e refugjatëve në hotele deri më 24 shkurt të vitit 2023, datë që përkon me njëvjetorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Si shtet anëtar i BE-së, Bullgaria duhet t’i përmbahet Direktivës për Mbrojtje të Përkohshme, që nënkupton se refugjatët kanë të drejtë të punësimit, strehimit, edukimit, të mbështetjes financiare dhe qasjes në kujdes shëndetësor për tre vjet.
Rregullat e BE-së, megjithatë jo gjithmonë prodhojnë rezultate të mira në terren. Dhe problemi në Bullgari është më i madh sesa thjesht akomodimi.
Më shumë se nëntë muaj që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, kritikët thanë se Bullgaria nuk ka strategji për të integruar refugjatët në shoqërinë e saj, me qeveritë e njëpasnjëshme që marrin vendime të shpejta dhe kaotike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 500.000 refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin për në Bullgari që nga nisja e luftës, edhe pse sipas shifrave të muajit korrik nga UNHCR dhe UNICEF, vetëm 87.000 refugjatë kanë qëndruar në këtë shtet.
Denichenko është nga Çernihivi, një qytet që gjendet një orë larg me makinë nga kryeqyteti ukrainas, Kiev. Ky qytet ishte i rrethuar për javë të tëra nga trupat ruse. Ajo shkoi në Varna në muajin maj dhe ka një të njohur në këtë qytet që i ka ofruar vendbanim.
“Djali im 26 vjeç është duke marrë pjesë në luftë si vullnetar”, tha Denichenko. “Ai më detyroi që të largohem në një vend të sigurt”, tregoi ajo. Për gjashtë muaj ajo është në Bullgari dhe nuk ka asnjë ankesë. Të vetmin problem që ka është se nuk mund ta ushtrojë profesionin e saj.
“Tërë jetën time kam qenë brenda sallës së operacionit”, tha Denichenko. “Por, unë nuk po kërkoja që të punoja këtu specifikisht në postin e infermieres së anesteziologjisë, vetëm dëshiroja që të punoja si infermiere apo punëtore shëndetësore”.
Pasi punoi një sërë punësh të rëndomta, Denichenko sërish tentoi që të gjete një punë të përhershme si infermiere, por sërish dështoi. Më pas, në fund të tetorit asaj iu ofrua që të punonte në një depo të një kompania farmaceutike dhe ajo e pranoi këtë ofertë.
Ka shumë vende të punës në sektorin e kujdesit shëndetësor të Bullgarisë. Shumë mjekë dhe infermierë, veçmas ata që janë në fillim të karrierës së tyre, preferojnë të punojnë jashtë vendit, duke kërkuar paga më të mira, një standard më të lartë jetese dhe më shumë mundësi për zhvillim në karrierë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, më 2021 ishin 1.730 infermierë më pak sesa në vitin 2019, apo një rënie prej 6 për qind. Në qershor, Radio Bullgaria raportoi se ka mungesë të madhe të punëtorëve shëndetësorë në mbarë Bullgarinë. Sipas një raporti të Institutit për Shoqëri të Hapur, vetëm 5 për qind e mjekëve bullgarë janë nën moshën 30-vjeçare dhe një e treta e tyre janë në moshën e pensionimit.
Këto probleme të trashëguara janë përkeqësuar edhe për shkak të turbulencave politike të shtetit, që kritikët thanë se kanë parandaluar liderët politikë që të krijojnë një strategji koherente sa i përket refugjatëve ukrainas.
Që nga viti 2020, Bullgaria ka qenë në krizë politike, me protesta që u nxitën nga zemërimi i publikut për shkak të korrupsionit shtetëror. Partia konservatore, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe lideri i saj, Boyko Borisov – që ka shërbyer si kryeministër në pothuajse tërë dekadën e kaluar – ishin cak i zemërimit të publikut.
Megjithatë, më 2 tetor, bullgarët votuan në zgjedhjet e katërta kombëtare të mbajtura në 18 muaj, duke i dhënë GERB-it shumicën me 25 për qind të votave. Me ish-partinë udhëheqëse që nuk është në gjendje të formojë Qeverinë, dhe me mundësinë që të mbahen sërish zgjedhje, shteti aktualisht po udhëhiqet nga një ekzekutiv në detyrë.
Disa politikanë janë deklaruar kundër trajtimit që Qeveria po u bën refugjatëve ukrainas. Duke folur për REL-in, Kremena Kuneva, deputete nga aleanca kundër korrupsionit dhe pro BE-së, Bullgaria Demokratike, tha se 1.500 refugjatë ukrainas që punonin në sektorin e kujdesit shëndetësor, kanë qenë në Bullgari. Sipas të dhënave që posedon ajo, vetëm 150 prej tyre kanë qëndruar në këtë shtet.
“Vendi ynë nuk bëri absolutisht asgjë për t’i mbajtur këta njerëz”, tha Kuneva.
Kuneva tha se i ka dërguar pyetje kryeministrit në detyrë, Galab Donev, dhe ministrave të Shëndetësisë, Punës dhe të politikave sociale qysh në fund të tetorit. Një prej pyetjeve që ajo parashtroi ishte nëse Qeveria kishte ndonjë plan për integrimin e refugjatëve ukrainas.
Sipas Kunevës, një nga pengesat kryesore në Bullgari është njohja e diplomave të huaja në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe atë të arsimit. Në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit Evropian, Bullgaria asnjëherë nuk ka miratuar procedura të thjeshtësuara për pranimin e diplomave të huaja të njerëzve që ikën nga lufta në Ukrainë.
Edhe pse ministri aktual i Brendshëm ka themeluar një Këshill të ri Kombëtar për Migracionin, në përgjithësi ka mungesë të një strategjie, tha Kuneva.
“Problemi kryesor është se tetë muaj më vonë nuk ka një plan integrimi. E vetmja gjë që Bullgaria bën është të paguajë hotelet dhe shpenzimet në strehimoret shtetërore”, tha ajo.
Iliana Savova, drejtoreshë e Programit për Mbrojtje Ligjore të Refugjatëve dhe Migrantëve në Komitetin bullgar të Helsinkit, u pajtua se politikanët kanë ndërmarrë një qasje joefektive.
Sipas Savovës, në rastin e refugjatëve ukrainas në Bullgari, autoritetet kanë vendosur se problemi do të jetë i përkohshëm, që do të thotë se ka pasur nevojë të merren me akomodimin e tyre, por jo me diçka tjetër.
“Çështja është se këtyre njerëzve duhet t’u jepet mundësia që të mbështesin veten dhe të kenë një jetë pak a shumë normale… përfshirë të drejtën për të punuar”, tha ajo.
“Ne kemi nevojë për njerëz që janë të shkolluar dhe që kanë karrierë. Do të ishte një plus i madh për Bullgarinë nëse arrin të integrojë këta persona… në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë profesionet e tyre”, tha Savova. “Dhe në mënyrë që ne të mos jemi në një situatë ku një mjek i kualifikuar apo një inxhinier të punojë si kamerier”.
Në mënyrë që të ndodhë kjo, tha Savova, duhen të ndërmerren masa më të shënjestruara dhe strukturuara, sikurse profilizimi i refugjatëve dhe vlerësimi i dobësive dhe nevojave të tyre.
Bullgaria nuk është shteti i vetëm i BE-së ku refugjatët ukrainas kanë hasur në vështirësi për të gjetur punë. Me gratë dhe fëmijët që përbëjnë 90 për qind të refugjatëve, gratë shpesh detyrohen të përkujdesen për fëmijët, ndërkaq partnerët e tyre dhe personat që i mbështesin ato janë ende në Ukrainë. Një hulumtim, të cilin e ka cituar Deutsche Welle në qershor, gjeti se vetëm 50 për qind e refugjatëve ukrainas në Gjermani kishin gjetur punë. Refugjatët e rinj, ndërkaq më shpesh zgjidhnin të shkonin në shtete sikurse Polonia dhe Republika Çeke, të cilat veçse kanë krijuar komunitete ukrainase dhe ka më pak pengesa gjuhësore.
Qeveria paraprake bullgare kishte ndërmarrë disa veprime, përfshirë edhe stimuj për punëdhënësit që punësojnë refugjatë ukrainas. Por, sipas Savovës, këto masa kanë qenë “sporadike”, nuk janë reklamuar mirë dhe gjerësisht nuk janë të njohura, përfshirë edhe nga ukrainasit.
“Këto masa janë trashëgimi e Qeverisë së mëparshme. Qeveria aktuale, që është në detyrë, nuk koordinon asgjë dhe nuk bën asgjë. Ata përcjellin ngjarje, nuk i udhëheqin ato”, shtoi Savova. “Kjo Qeveri në detyrë po i përgjigjet vetëm presionit publik, siç është edhe rasti i tanishëm për strehimin e ukrainasve”.
Por, përderisa Qeveria bullgare, që është në detyrë, nuk ka të ngjarë të dëbojë nga shteti refugjatët ukrainas, tha Savova, ajo nuk po bën shumë për t’i mbajtur ata në shtet.