Tensionet e larta, sulmohet Policia e Kosovës në veri!

vovalbania December 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet e larta, sulmohet Policia e Kosovës në veri!

Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj u plagos lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e vendit me shumicë serbe. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Njësitë që ishin në detyrë u sulmuan nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

Në vendngjarje nisën hetime, ndërsa i lënduari u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës rriti praninë në veri, ku ditët e fundit janë shtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë në veri, ka për qëllim “sigurimin e qytetarëve”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç kundërshtoi:

Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në vitin 2013. Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

Në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok pritet të zhvillohen zgjedhje lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Dorëheqje paraqitën edhe të tjerë zyrtarë serbë në veri, në nivel lokal e qendror. Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65712 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE