Nis numërimi mbrapsht drejt finales së Botërorit, sonte Argjentinë-Kroaci!

vovalbania December 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nis numërimi mbrapsht drejt finales së Botërorit, sonte Argjentinë-Kroaci!

Sot dhe nesër janë dy ditët e mëdha të “çmendurisë” të sportit botëror. Botërori i Futbollit “Katar 2022” po i afrohet fundit dhe para finales së 18 dhjetorit, sonte mësohet emri i finalistes së parë, një skuadër mes Argjentinës e Kroacisë. Sfida tërheq shumë interes. Për Argjentinën spikat organizimi i lojës së hekurt, bazuar në lëvizjet e Messit. Leo mund të bëjë si të dëshirojë me shokët që e ndjekin. Numri dhjetë më i rëndësishëm në botë ka mundësinë unike (dhe të fundit) për të fituar një Kupë Bote e kështu t’i bashkohet Mbretit Diego në Perandorinë e futbollit botëror.

Po kroatët? Ballkanasit ëndërrojnë një goditje në finale, çka do të ishte arritje unike dhe e jashtëzakonshme. Një vend me 4 milion banorë e që në 30 vite, tashmë ka arritur në tre gjysmëfinale botërore në 30 vite. Daliç dhe të vetët duan të hedhin një hap më tej e të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit. Cilësia teknike individuale dhe një organizim i mirë përbëjnë bazën, por më efektive janë armët që do të përdoren për ta bërë ëndrrën realitet. Për pjesën tjetër është Modriç…

Ekipi që kalon, më 18 dhjetor përballet me fituesin e sfidës Francë-Marok, takim i cili luhet nesër, po në orën 20:00. Francë-Marok është gjysmëfinalja që nuk e pret, por që ka kuptime të cilat shkojnë përtej botës së futbollit. Përzgjedhja e Regraguit tashmë ka hyrë në histori, duke e bërë Marokun të parën skuadër afrikane në mesin e katër më të mirëve në botë. Një ekip me afrikanë, shumica e të cilëve luajnë në kampionatet më të rëndësishme europiane. Ata nuk kanë gjë për të humbur e të ëndërrosh nuk kushton asgjë, veçanërisht kur ke pas brohoritjen dhe mbështetjen e një kontinenti të tërë e një pjese të madhe të botës arabe.

Franca ka mundësinë e artë dhe trajneri Deschamps mund ta ngrejë për dy edicione radhazi kupën, një tjetër shans për të shkruar historinë. Nuk ka dyshim se sa i përket skuadrës, alternativave, lojës së testuar dhe cilësive teknike individuale, Franca është më e favorizuara. Por, “Katar 2022” e ka bërë të qartë se asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë. Tani, t’i shijojmë këto gjysmëfinale. Gjithçka përfundon brenda pesë ditësh e numërimi mbrapsht ka filluar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65840 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE