FBI-ja, kontrolle shtëpisë së ish-presidentit Trump në Florida!
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump bën të ditur se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve, i “bastisën” shtëpinë në Mar-a-Lago të Floridas. Mësohet se kontrollet kanë të bëjnë me disa hetime, nëse ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë zotëron dokumente zyrtare. Zhvillimet shënohen teksa Trump përgatitet për garën e tretë presidenciale në zgjedhjet e vitit 2024. Sipas CBS News-it, ai gjendej në të ashtuquajturën “Trump Tower” në Nju Jork, kur u kryen kontrollet.
Trump tha se “janë kohë të errëta për kombin”. Më tej vuri në dukje se ka bashkëpunuar me të gjitha agjencitë federale, ndaj “bastisjet e paparalajmëruara” i quajti “të panevojshme e të papërshtatshme”.
Një sulm i tillë mund të ndodhte vetëm në shtetet e botës së tretë. Fatkeqësisht, Amerika është bërë një prej këtyre vendeve, e korruptuar në nivele që nuk i kemi parë.
Eric Trump, djali i ish-presidentit, i tha televizionit Fox News, se kërkimet e FBI-së ishin të lidhura me Arkivat Shtetërore. Në muajin shkurt, kjo agjenci qeveritare që menaxhon ruajtjen e dokumenteve presidenciale amerikane, i kërkoi sistemit të drejtësisë, të hetojë Trump-in për mënyrën si i ka administruar dokumentet zyrtare. Arkivat Kombëtare njoftuan se siguruan 15 kuti nga shtëpia e Trump-it, disa me dokumente të klasifikuara.
Sipas ligjit, presidentët amerikanë duhet të transferojnë në Arkivat Shtetërore të gjitha dokumentet e disponuara tyre, përfshirë email-et. Disa zyrtarë besojnë se ish-presidenti Trump ka asgjësuar shumë të tilla.
Nga institucioni i Arkivave thanë se disa dokumente janë kthyer në gjendje jo të mirë e është dashur të ngjiten nga e para, por Trump hodhi poshtë raportimet për diçka të tillë. Krahas çështjes së Arkivave Shtetërore, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan po heton edhe veprimet e Trump-it lidhur me trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur një mori mbështetësish të tij hynë në ndërtesën e Kongresit, në ditën kur ligjvënësit ishin mbledhur për të certifikuar fitoren e rivalit demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020.