Pushuesit vendas në “arratisje”, të huajt në rritje/Më shumë në Durrës, më pak në Himarë!

vovalbania August 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pushuesit vendas në “arratisje”, të huajt në rritje/Më shumë në Durrës, më pak në Himarë!

Sipas vlerësimeve të Unionit Turistik Shqiptar, për fundin e korrikut dhe fillimin e këtij muaji, bregdeti i Durrës-Golemit është i vetmi me më shumë pushues në njësitë akomoduese, në krahasim me vitin e kaluar. Mbi 90% rezulton zënia e kapaciteteve aty, ndjekur nga Velipoja, me 90%. Bregdeti i Vlorës luhatet nga 75 në 80%, i Sarandës më shumë se 70 dhe më dobët paraqitet Himara, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.

Deri në qershor, referuar të dhënave më të fundit zyrtare të disponueshme të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve të huaj ishin 16% më shumë për 6-mujorin e parë të 2022-shit se e njëjta periudhë e 2019-ës, viti para pandemisë koronavirus. 40% më tepër vetëm në muajin qershor. Këtë vit, duket se të huajt po e mbajnë të ngritur turizmin në Shqipëri dhe kryesisht në bregdetet e Durrësit, Vlorës e Sarandës. Por, pushuesit vendas janë në rënie e arsyet mund të jenë disa:

Duke përfituar nga lehtësimi apo heqja e kufizimeve në udhëtime, të lidhura me pandeminë e COVID-it, gjithnjë e më shumë shqiptarë zgjedhin të pushojnë jashtë. Listën e destinacioneve të preferuara e kryesojnë Turqia, Greqia, Italia që janë edhe të përvitshme, si edhe Spanja e Portugalia.

Ikja e të rinjve, nuk është pa ndikim, sidomos për plazhet e jugut, mes të preferuarëve të kësaj grupmoshe, shoqëruar me një jetë nate më të dobët këtë sezon.

E duke mbetur te jugu, çmimet e larta dhe perceptimi se nuk justifikojnë cilësinë e ofruar, po sjellin braktisje. Këtë sezon, Himara e Dhërmiu, janë në fund për zënien e kapaciteteve hoteliere.

Por, në përgjithësi rritja e çmimeve përbën problem. Në korrik, inflacioni arriti në 7.5%, niveli më i lartë në 20 vjet, ndërsa shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve, dha ndikimin kryesor.

Operatorët turistikë pohojnë se është shkurtuar koha e pushimeve në 4-5 ditë, nga një javë që ishte normalja. Po ashtu janë reduktuar udhëtimet e fundjavave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE