Gara për kreun e SPAK-ut, edhe kandidati Altin Dumani prezantoi platformën e po përgjigjet në KLP!
Pas Adnan Xholit ishte radha e kandidatit tjetër, Altin Dumani që të prezantonte platformën, para se sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë të vendosë se kush prej tre emrave në garë do të drejtojë SPAK-un për tre vitet e ardhshme. E ndërsa pritet edhe prezantimi nga Edvin Kondili, në procesin që monitorohet nga amerikanët, Dumani u shpreh:
Duhet të rritet besimi te drejtësia! Jam shumë i motivuar për të garuar për kreun e ri të SPAK-ut. Bashkëpunim me njëri-tjetrin duke u bërë pjesë e hetimit me grupet hetimore të ngritura. Nuk mund të mos përmend edhe luftën kundër krimit të organizuar.
E vetmja mënyrë për të goditur krimin e organizuar është bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare. Detyrën time e shoh si mision dhe jo si vend pune. Jam i angazhuar prej 23 vitesh në Prokurori.
Dua të përmend edhe disa nga pikat e platformës sime për hetime që janë të nevojshme të kryhen. Një nga hapat e parë është miratimi i rregullores për funksionimin e Prokurorisë. E vlerësoj ai akt jetik, është një draft i përgatitur.
T’i nënshtrohet një diskutimi konstruktiv dhe sa më shpejt, ky akt të bëhet funksional! Unë vlerësoj se kjo duhet të bëhet. Miratimi i një udhëzimi të përgjithshëm për të unifikuar aktet në fashikuj. Nga praktika e këtyre viteve kam parë se prokurorë të ndryshëm i rendisin në mënyra të ndryshme aktet dhe fashikujt.
Miratimi i një udhëzimi për shortimin e çështjeve penale, për të rritur transparencën dhe shpërndarjen e punës. Në raport me BKH-në besoj se duhet të krijohet një klimë bashkëpunimi për forcimin e marrëdhënieve mes dy organeve.
Rritja e kapaciteteve njerëzore të BKH-së, prova digjitale, trajnimi i hetuesve, nxitja e drejtorit të BKH për hartimin e metodologjisë.
Do të vazhdoj që t’i ndjek vetë çështjet që kam në hetim. E shtuna ka qenë ditë e zakonshme pune për mua. Të dielave jam i punësuar part time dhe po nuk dola në zyrë do të marr diçka në shtëpi. Unë sërish do të vazhdoj që të angazhohem në hetimin e çështjeve të rëndësishme. E vlerësoj të jem prokuror në SPAK.
Lidhur me punën e SPAK-ut këto vite, Dumani tha se “është krijuar një bazë e mirë për të luftuar krimin e organizuar”.
Ka shenja, si dhe indicie se Prokuroria e Posaçme është e aftë që të përballet me krimin e organizuar e me zyrtarë të nivelit të lartë.