TIMS-i rrëzon Ahmetajn/ Fluturimet përkojnë me datat e hoteleve të paguara nga Zoto, SPAK mbylli sytë para provave
Pak ditë më parë në një emision televiziv, ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ngriti dyshime për vërtetësinë e provave të publikuara nga gazetari Adriatik Doçi.
Ahmetaj tha se faturat e hoteleve të publikuara ditët e fundit, nuk janë origjinale.
“Nuk janë dokumente origjinale. As kam udhëtuar e as kam përdorur kartën e ndokujt. Nuk kam asnjë lidhje me procedurën. Nuk kam udhëtuar kurrë me Zoton dhe as kam përdorur kartën. Një tufë me media i marrin të mirëqena letrat”.
Por si qëndron e vërteta e këtij pretendimi të ish zv.kryeministrit të Shqipërisë, i cili është një nga personat që ka dhënë dakordësinë dhe më pas ka firmosur për inceneratorin e Elbasanit dhe atë Fierit.
Top Channel ka siguruar ekskluzivisht hyrjet dhe daljet e Arben Ahmetajt, nëpërmjet sistemit TIMS. Duke iu referuar provave që ka paraqitur gazetari Adriatik Doçi, rezulton se udhëtimet e Ahmetajt janë në të njëjta data dhe destinacione sipas hoteleve që ka rezervuar shtetasi në kërkim Klodian Zoto.
Në e-mailet e kompjuterit të Zotos, për të cilën prokurorët e SPAK nuk i panë, sipas kallëzimit të gazetarit Doçi, prova 2 tregon rezervimin e hotelit “Principe di Savoia” në Milano për datat 20 deri në 22 qershor 2014, për Arben Ahmetajn.
Nëse i referehohesh sistemit TIMS të siguruar nga Top Channel, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këto data në Milano, pra ka shkuar në 20 qershor dhe është rikthyer në 22 qershor 2014 në Tiranë.
Vijojmë me provën numër 3, për rezervimin e hotelit Mandarine në Milano, ku vetëm për 1 natë nis çmimi mbi 1500 euro. Data e rezervimit është 9 shtator 2016 për bashkëjetuesen e Ahmetajt, Erjola Hoxha. Nëse shohim sistemin TIMS, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këtë datë drejt Milanos, në aeroportin e Bergamos në 9 shtator 2016.
Në provën 4 të paraqitur nga gazetari Adriatik Doçi, Zoto ka rezervuar një hotel te “Sans Suice” në Vjenë për datën 21 shkurt 2014. Pikërisht në këtë datë, Ahmetaj udhëton drejt Vjenës, sipas sistemit TIMS.
Në provën 5, te depozituar në kallëzim, flitet për një rezervim hoteli me 5 yje në Bukuresht, në datën 13 qershor 2017 mbërritje.
Në sistemin TIMS, Ahmetaj ka dalë në datën 13 qershor 2017 nga pika kufitare e Kapshticës me makinën tip “Range Rover” me targa AA 908 PY, për të udhëtuar më pas nga Maqedonia e Veriut drejt Rumanisë.
Datë kthimi nuk ka për ish-ministrin e Financave, pasi në ditën e kthimit ai është aksidentuar në pikën kufitare Tabanoc – Kumanovë, pikërisht me makinën që kishte udhëtuar drejt Bukureshtit. Fotot e qarkulluara në internet, tregojnë targën e makinës, që Ahmetaj ka përdorur në këtë udhëtim.
Të gjitha udhëtimet e Arben Ahmetajt janë lehtësisht të verifikueshme, mjafton që dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi të verifikonin sistemin TIMS dhe të dërgonin një letër-porosi te hotelet ku ka paguar Zoto dhe ka qëndruar Ahmetaj me bashkëjetuesen e tij.
Por mesa duket, dy prokurorët e SPAK që akuzohen për devijim hetimesh dhe shpërdorim detyre, nuk i kanë parë këto e-maile që fundosin ish zv.kryeministrin Ahmetaj.