Shkeli rregullat në finalen e Botërorit, Nusret Gokce ndalohet të marrë pjesë në ‘US Open Cup’!
Salt Bae është ndaluar të marrë pjesë finalen e US Open Cup në Amerikë, për shkak të sjelljes së tij në finalen e Kampionatit Botëror 2022. US Open Cup, postoi në Twitter një shkrim ku tregonte se e kanë ndaluar kuzhinierin e famshëm që të jetë prezent në ngjarjen e tyre. Kuzhinieri, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gokce, u kritikua për veprimet e tij pas finales së Kampionatit Botëror në Katar, ku u pa duke dalë në fushë për t’iu afruar Lionel Messit dhe duke thyer rregullat, pasi mbajti në dorë trofeun e Botërorit.
Ai u fotografua me trofeun e Kampionatit Botëror dhe bëri fotografi me disa nga yjet e Argjentinës. Gokce dihet se është mik i ngushtë i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe në fakt ka shkelur rregullat strikte në lidhje me atë se kush lejohet të prekë trofeun e Kupës së Botës.
Si një nga simbolet sportive më të njohura në botë dhe një ikonë e paçmuar, trofeu origjinal i Kupës së Botës FIFA mund të preket dhe mbahet vetëm nga një grup shumë i përzgjedhur njerëzish, ku përfshihen ish-fituesit e Kupës së Botës FIFA dhe krerët e shteteve.
Ndërkaq, duhet ta mendosh disa herë para se të darkosh në restorantin e kuzhinierit të famshëm turk Nusret. Disa klientë të restorantit të tij në Abu Dhabi së fundmi kanë postuar në rrjetet sociale faturën prej 160.000 euro dhe komentet nuk kishin të ndalur.