“Avatar: The Way of Water” çon kinemanë përtej të imagjinueshmes vizualisht, por filmi i dytë i sagës nuk ka më asnjë dimension dramatik.
Ka disa filma në historinë e kinemasë që kanë marrë përsipër të çojnë të ashtuquajturin art të shtatë përtej të imagjinueshmes. Kjo kërkon njerëz të çartur me një vizion të qartë, të prirur drejt cilësisë dhe jo sasisë. I tillë është vizionari i Hollywood-it – James Cameron, një emër që kur e dëgjon të sjell ndërmend filma që të kanë bërë të dashurohesh me kinemanë si “Terminator”, “Aliens” apo “Titanic”. 13 vite më parë, ndjesinë e të parit të filmit të parë “Avatar” mund ta përshkruaje me disa fjalë, ngazëllyese, magjike, fantastike, përtëritëse, e jashtëzakonshme. Cameron e njeh mirë punën e tij, është ndër të rrallët regjisorë/producentë që prodhon teknologji e cila nuk ekziston akoma për të ekranizuar vizionin e tij. Natyrshëm që kur dëgjon në “@themovies” në Top Albania Radio se filmi ka dalë në Cineplexx, shkon ta shohësh, pa e ditur sa i gjatë është filmi, sepse mezi pret të zbulosh se çfarë ka bërë James Cameron në më shumë se një dekadë.
Që të çonte Avatar-in në ujë ju desh të priste 13 vite në mënyrë që teknologjia t’i përgjigjej. Pritja është e justifikuar kur ulesh në kinema, vendos syzet 3-d, dhe zhytesh në një botë të pabesueshme, e cila është me e përndritur, më e gjallë, më e vërtetë se kurrë më parë. Imazhet 3d janë aq të pastra sa nuk e beson dot që në fakt janë rendera kompjuterikë. Alienët e planetit Pandora, luftëtarët Na’vi, të duken sikur i ke ngjitur me karrigen në të cilën je ngjeshur kësaj rradhe edhe më shumë për shkak të disa hileve të horrorit dhe suspansës në audion e filmit, që kësaj rradhe janë përdorur më shumë sesa tek filmi i parë.
Skenat e “Avatar: The Way of Water” e ka aftësinë për të të shqyer sytë, për të të marrë mendte e rritur pulsin. Pjesa dërrmuese e tij zhvillohet në një grup ishujsh ‘tropikalë’ quajtur At’wa Attu ku Jake Sully (Sam Worthington), shpëtimtari i fiseve Na’vi, historia e të cilit nisi si ushtar paraplegjik e vazhdoi si prijësi i banorëve të një planeti të ri, duke lënë trupin e tij të mëparshëm, dhe bashkëshortja e tij Neytiri (Zoe Saldaña) me katër fëmijët e tyre shkojnë për të shpëtuar veten dhe fisin e tyre i cili rrezikon nga hakmarrja e ushtarakëve që u përzunë në filmin e parë nga Pandora. Në ishull, ata mësojnë nga zakonet e klanit Metkayina, të cilët ndryshe nga Na’vi-të, njerëzit e pyllit, jetojnë në harmoni me oqeanin që i rrethon.
Bota nën-ujore e krijuar nga James Cameron dhe të tijët është vërtet briliante, jashtëzakonisht përfshirëse, me krijesa magjepsëse. 350 milionë dollarët e shpenzuar për filmin u kaluan shpejt në të ardhura (brenda dy javësh filmi ka arkëtuar 1 miliardë dollarë). Premisa ishte jo vetëm për të krijuar një botë që deri përpara këtij prodhimi dukej e pamundur, por edhe për t’u perceptuar si e vërtetë nga shikuesi. Premisë e cilla arrihet dhe tejkalohet.
Mirëpo krahasuar me filmin e parë, skenari i bashkëshkruar nga regjisori është i cekët, i zhveshur nga të gjitha dimensionet dramatike, sidomos krahasuar me filmin e parë. Kuptojmë që “Avatar” në thelb është dhe do të jetë gjithmonë një film kokoshkash por kjo nuk do të thotë që për mbi 3 orë të na duket sikur po shohim një Screensaver të hatashëm në kompjuterin e zyrës. Historia është bazike, sipërfaqësore a thua se i gjithë përqëndrimi ka qënë vetëm tek renderat e ujit dhe pishina apostafat për të krijuar botën nënujore të planetit alien. Tokësorët apo njerëzit e qiellit siç thirren nga vendasit i rikthehen pushtimit të planetit, tashmë jo në kërkim të materies që duhej për energji, por trurit të balenave jashtëtokësore të cilat janë eliksiri i pavdektësisë. Koloneli Quaritch (Stephen Lang) dhe skuadra e tij e vrarë në filmin e parë janë kthyer tashmë në një skuadër Avatarësh guerrilas, në kërkim të Jake Sullyt. Nuk dua të zbuloj shumë nga filmi – por di t’iu them që ka vetëm një konflikt, një skenë e gjysëm aksion dhe fund.
Pesha e dialogut në film gjithashtu mungon. Shumë e kanë krahasuar me një thriller ambicioz Netflixi (jo për mirë, kuptohet). Për shkak të humbjes së historisë, filmi mund të kish qënë fare mirë dy orë në vend të tre. “The Way of Water” dhe skulpturat e tij kompjuterike e tij janë aq të gjata për shkak se, mbase, po të ishin më të shkurtra do të humbisnin magjinë e tyre. Ah sikur thellësia e imazheve të ishte e njëjtë me atë të personazheve, të cilët edhe pse aktrohen nga disa prej aktorëve më shumë-dimensionalë të botës së filmit, kanë shumë pak material për ta përdorur. Nëse do të ishin rendera – do të ishin si ato të përpara 33 viteve.
Veterani i filmave aksion, me kalimin e viteve, jo pak po katër dekadave nuk ka humbur asgjë nga bravura e tij. Skenat e luftimit janë të arrira mrekullisht. Në katër dekada sidoqoftë ekziston mundësia të përsërisësh veten, mbase jo logjistikisht, por në përmbatje. Do e keni të pamundur mos të krahasoni fundin e filmit me fundin e “Titanic“.
Kur ikja nga kinemaja, dikush më pyeti, ‘Hë mo si t’u duk?’ – ‘Hajt mo i thashë’ duke menduar sa për filmin aq për dhimbjen e mesit nga qëndrimi mbi tre orë në karrige.
Kur e mendoj tani, do të kisha dashur që “Avatar – The Way of Water” të kish qënë miklues për zemrën, aq sa për sytë.
“Avatar: The Way of Water” vazhdon të shfaqet në sallat e Cineplexx TEG & QTU.